E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi "Xhanfise Keko" shkon për kompozitorin Aleksandër Lalo

Është mbyllur në Tiranë edicioni i pestë i "Giffoni Shqipëria". Një ceremoni e madhe është organizuar mbrëmjen e djeshme në Teatrin e Operës dhe Baletit, gjatë së cilës janë bërë të ditur filmat fitues, por edhe çmimi "Xhanfise Keko", çmim që mban emrin e regjisores së njohur për fëmijë e që ndahet prej dy vjetësh. Ky çmim ka shkuar për kompozitorin Aleksandër Lalo dhe kontributin që ka dhënë ndër vite për muzikën e filmave shqiptarë. Sipas presidentit të "Giffoni Shqipëria", Namik Ajazi, ky është një vlerësim edhe për filmin shqiptar për fëmijë, i cili i mungon me realizime këtij festivali. Nën një atmosferë që veç të tjerash për rreth një orë e gjysmë ofroi edhe spektakël, me interpretimet e këngëtareve e reja, Kejsi Tola, Dorina Garuci dhe grupit muzikor nga Kosova New Born, janë ndarë edhe çmimet e tjera. Kështu, të rinjtë e kategorisë "Y Generation" që përfshin moshën mbi 16 vjeç kanë zgjedhur si filmin më të mirë të metrazhit të gjatë "Glowing Stars", një prodhim suedez me regji të Lisa Siwe. Regjisorja e ka vënë theksin në marrëdhëniet e prindërve me fëmijët e tyre gjatë moshës së adoleshencës. Siwe është ndalur në familjen e katërmbëdhjetëvjeçares Xhena, e ëma e së cilës është e sëmurë me kancer. Është një histori tërësisht femërore, ku një nënë në fund të jetës dhe një gjyshe përpiqet të kuptojë gjeneratat e reja. Në fund, Xhena arrin të kuptojë se zgjidhja nuk është t‘i fshihesh problemeve, por të përballesh me to për të gjetur një rrugëzgjidhjeje. Ndërsa për sa u përket filmave me metrazh të shkurtër, kjo kategori e të rinjve ka votuar për filmin "Astrid", një prodhim italian me regji të Andrea Fasciani. Regjisori ka prekur një temë mjaft shqetësuese për adoleshentët e sotëm, veçanërisht vajzave. Atë të obezitetit. Astrid është një 16-vjeçare e fiksuar pas idesë për të eliminuar ushqimin nga jeta e saj. Imagjinata e çon në një botë vetmie dhe makthesh: veshje që e ngushtojnë shumë, pjesë të trupit që i zhduken papritur. Një ditë Astrid zgjohet në mes të një panineje gjigante dhe do të jetë një derrkuc magjik që do ta nxjerrë nga gjithë kjo situatë. Për fëmijët e moshës mbi 12 vjeç, të përfshirë në kategorinë "Free to Fly", filmi më i mirë me metrazh të gjatë i edicionit të pestë të "Giffoni Shqipëria" ka qenë "Broken Hill" një film australian me regji të Dagen Merrill. Ky realizim, i zgjedhur si filmi më i mirë edhe në edicionin e 39-të të "Giffoni Film Festival" në Itali ka marrë në Tiranë edhe çmimin e jurisë ndërkombëtare e përbërë nga 19 të rinj të ardhur nga Italia, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria. "Broken Hill" për vetë faktin se i vendos ngjarjet në burg, ka pasur një projeksion të veçantë në Burgun e të rinjve në Kavajë. Tomi është një djalosh që ka lindur dhe është rritur në një vend të shkretë të Australisë. Ai punon në një fermë delesh dhe mundohet të bëjë gjithçka për të kënaqur të atin e tij, por dëshira më e madhe e Tom është të bëhet një muzikant i madh. Gjithçka ndryshon kur Tomi takon shoqen e re të klasës, Ketin, një vajzë e bukur bionde. Tomi përpiqet të bëjë gjithçka që të tërheqë vëmendjen e Kat, aq sa futet në telashe me policinë lokale. Fatmirësisht i shpëton burgimit dhe zgjedh të bëjë punë komunitare në një burg të afërt. Fati do t‘i buzëqeshë kur mësuesi i tij i muzikës kërkon t‘i bëjë një audicion që të marrë pjesë në Konservatorin më të mirë të muzikës. Kundër të gjitha shanseve, Tom fiton dashurinë e Kat, gjen mënyrën për t‘u pajtuar me të atin dhe drejton koncertin e jetës së tij me orkestrën dhe korin e të burgosurve. Si filmin më të mirë me metrazh të shkurtër kjo kategori ka zgjedhur "Il re dell‘isola" (Mbreti i ishullit). Regjisori Raimondo Della Calce tregon historinë e Gioannin, një djalosh që ka mbetur jetim, pasi i ati i tij është mbytur gjatë lundrimit me anije. Ngjarjet vendosen në Itali, në Genovan e 1900-s. Duke mos e ditur domethënien e fjalës vdekje, djaloshi mendon se i ati i tij nuk është kthyer në shtëpi, por është bërë mbret i një ishulli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›