E Shtunë, 31 Tetor 2026

Endri Haxhihyseni, FSHP e lë jashtë Evropianit

Peshëngritja shqiptare, sporti që i ka siguruar vendit tonë rezultatet më të mira në arenën ndërkombëtare, ka regjistruar skandalin e radhës. Në Kampionatin Evropian që do të nisë në Rumani më 4 prill, drejtuesit e kësaj federate kanë lënë jashtë ekipit kombëtar një prej sportistëve më të mirë, Endri Haxhihysenin. Shtangisti 23-vjeçar është përjashtuar nga lista kuqezi me justifikimin se nuk u paraqit mirë në kampionatin kombëtar. Për çudi, në vend të tij është përfshirë Taulant Çerepi, i cili nuk garoi në aktivitetin e zhvilluar vetëm pak ditë më parë në Elbasan. Haxhihyseni, që me 200 kg në shtytje renditet i treti në Evropë për peshën e tij, pretendon të zhvillojë një garë kontrolli, për t‘u përfaqësuar në aktivitetin e rëndësishëm, por deri më tani askush nuk i ka dhënë një përgjigje. "Pretendoj të zhvillohet një garë kontrolli, nga e cila të konfirmohet se kush e meriton të përfaqësojë Shqipërinë në Evropianin që do të zhvillohet në Rumani. Kam shkuar disa herë te sekretari i përgjithshëm, për t‘i kërkuar të drejtën e një gare kontrolli, të cilën ma lejon edhe rregullorja. Por ai nuk më kthen përgjigje, madje më ka thënë se lista është plotësuar dhe ajo nuk mund të kthehet", deklaroi peshëngritësi. Haxhihyseni nuk garonte prej afro dy vjetësh, pas një dëmtimi në dorën e djathtë. Megjithatë, ai beson se moslejimi për të garuar në turneun kontinental nuk është rastësi, duke iu referuar padisë gjyqësore, në momentin kur FSHP i publikoi emrin se ishte pozitiv me doping, ndërkohë që analiza "B" tregoi të kundërtën. "Këto që po ndodhin nuk më duken rastësi. Që prej skandalit të dopingut, ku rezultova i pastër, i kam akuzuar shpesh krerët e Federatës së Peshëngritjes, madje ndaj tyre kam hapur dhe një proces gjyqësor, sepse më prishën karrierën dhe reputacionin si sportist. Dhe tani, presidenti (Esat Ademi) me sekretarin (Ilir Kraja) bëjnë padrejtësi, pasojat e të cilave i vuaj unë". Sot, Haxhihyseni do të bisedojë me Ademin, për të zgjidhur këtë situatë, e nëse përgjigjja do të jetë sërish negative, ai do të takohet me ministrin e ri të Sporteve, Adrian Turku.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›