E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia: Ne, kualifikim direkt në gjysmëfinale

Vllaznia pretendon zgjidhje të menjëhershme të rrëmujës së regjistruar në çerekfinalet e Kupës. Pasi kanë evidentuar shkeljen e Dinamos ndaj rregullave të përcaktuara në Kodin e Drejtësisë Sportive, që pritet të shkaktojë edhe skualifikimet e Partizanit dhe Flamurtarit, krerët e klubit shkodran pretendojnë që vendimi për kualifikimin e tyre të jetë i menjëhershëm. Për ta, shqyrtimi i kësaj çështjeje në Komisionin e Disiplinës është një humbje kohe, pasi gjithçka është shkruar e zezë në të bardhë.

Dje paradite, drejtuesit kuqeblu janë mbledhur në zyrën e presidentit Valter Fushaj, duke përgatitur shkresën ku pretendonin fitoren e ndeshjes në tavolinë dhe kualifikimin e Vllaznisë në gjysmëfinale, sepse aktivizimi i dinamovitit Elis Bakaj ishte i parregullt. Kërkesa, e cila është dorëzuar në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit nga sekretari i klubit, Agim Medja, dhe menaxheri i përgjithshëm, Kujtim Shaba, i drejtohej direkt Sektorit të Garave dhe jo Disiplinorit. Fushaj ka folur rreth këtij veprimi, duke thënë se zgjidhja e problemit është e thjeshtë dhe nuk ka nevojë për shqyrtimin nga KD. "Nuk ia kemi dorëzuar shkresën Komisionit të Disiplinës, pasi mendojmë se gjithçka është e qartë. Zgjidhja e kësaj çështjeje është e thjeshtë dhe nuk ka nevojë të shqyrtohet nga ky komision. Duam kualifikimin e menjëhershëm në gjysmëfinale", ishin fjalët e numrit 1 të kuqebluve. "Një skuadër ka shkelur në mënyrë të dukshme rregullat e lojës, në mënyrë më specifike rregulloren ku thuhet se një lojtar mund të luajë vetëm me një skuadër në edicionin e Kupës. Vllaznia duhet ta fitojë ndeshjen në tavolinë dhe të kualifikohet automatikisht në turin tjetër të këtij aktiviteti. Kësaj çështjeje duhet t‘i japë zgjidhje sekretari i federatës (Arben Bici) dhe shefi i garave (Ilir Shulku)". Më tej, presidenti i klubit shkodran, rikujtoi atë që ai e cilëson si padrejtësia me renditjen në kampionat. Vllaznia pretendonte se duhej të ishte në krye të Kategorisë Superiore, në përfundim të fazës së dytë dhe jo Tirana. Skuadrat kishin pikë të barabarta dhe në ndeshjet direkte ishin ndarë dy herë në barazim (1-1 në Tiranë dhe 0-0). Ata kërkonin të përfitonin nga goli në fushën kundërshtare, ndërsa federata la në krye bardheblutë, që kishin golavarazh më të mirë. "Në FSHF nuk mund të mendojnë në asnjë moment se mund të sillen në këtë mënyrë me Vllazninë dhe të na dëmtojnë si ndodhi në kampionat, vazhdoi Fushaj. Bici dhe Shulku, të cilët e kanë bërë lëmsh kampionatin, duhet të zbatojnë atë që është shkruar në rregullore dhe jo të veprojnë si në rastin e kampionatit, ku skema është kopjuar nga Kroacia, ndërsa për interpretimin e saj kërkohej ndihmë në Itali. Tani situata është shumë më e qartë: është e shkruar e zezë mbi të bardhë. Dinamo ka gabuar dhe tashmë duhet të vuajë pasojat. Rregullorja ishte e shkruar që në fillim të sezonit dhe ne po përfitojmë nga gabimi i tyre, pasi jam i sigurt se edhe ata do të bënin të njëjtën gjë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›