Shëmtohet Kupa, tre ekipe në gjysmëfinale?!
Kaosi përfshin Shqipërinë e futbollit, e cila po përjeton një nga momentet e saj sa qesharake, aq edhe negative. Bëhet fjalë për rrëmujën e shkaktuar në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, ku Vllaznia dhe Flamurtari kanë denoncuar dje zyrtarisht në FSHF shkeljen e rregullores nga kundërshtarët përkatës të tyre, Dinamo dhe Partizani, për aktivizimin e futbollistëve, të cilët në pjesën e parë të kompeticionit kanë luajtur për ngjyrat e tjera skuadrave. Tashmë shqiptarëve mund t‘ju duhet të mësohen me një çudi (ndoshta ekskluzive e tyre, që do të çojë vetëm tri skuadra dhe jo katër në gjysmëfinale, ndërsa njëra prej tyre mund të kalojë automatikisht në finale. Edhe pse Dinamo e Partizani e merituan vërtet kualifikimin në fushë, tashmë ato janë të destinuara ta humbasin atë në tavolinë. Neni 36, pika 25: "Lojtari në Kupën e Shqipërisë ka të drejtën për të marrë pjesë në një sezon vetëm me një ekip", nuk toleron asnjë hapësirë për këto dy skuadra. Në federatë tashmë është pranuar haptazi se Dinamo ka gabuar me aktivizimin e Bakajt në ndeshjen ndaj Vllaznisë, pasi lojtari në pjesën e parë të sezonit kishte luajtur për ngjyrat e Partizanit, po në të njëjtin kompeticion. Po kështu, edhe vetë të kuqtë, të cilët me shumë mund arritën të fitonin kualifikimin në fushë ndaj Flamurtarit, pas gjuajtjes së 11-metërshave, do të vuajnë të njëjtën gjë. Në takimin kundër vlonjatëve, Partizani ka aktivizuar Gjondedën, që ka luajtur më parë me Teutën, dhe Bakajn, i cili është aktivizuar për ngjyrat e Elbasanit. Për këtë fakt, burime të mirinformuara nga FSHF nënvizojnë se "skualifikimi i Dinamos dhe Partizanit është thuajse 100 për qind i sigurt. Të njëjtin fat me ta mësohet se do ta ketë edhe vetë Flamurtari, i cili nga akuzues është kthyer në i akuzuar. Vlonjatët kanë pasur në stolin e rezervave Merxhën (ish-lojtari i Elbasanit) i cili, sipas specialistëve në FSHF, edhe pse nuk është aktivizuar, ai quhet pjesë e lojës. Kështu, skuadra e trajnerit Eqerem Memushit do të duhet të bashkohet me dy të parat. Mbledhja e radhës e Disiplinës mësohet se do të jetë thjesht formalitet. Pasi vendimet duken të qarta. Edhe pse neni 36, pika 25, nuk e ka parashikuar masën ndëshkimore të këtyre, precedenca e aktivizimit të lojtarëve të parregullt, të bën të mendosh faturimin e ndeshjes në tavolinë të ekipit kundërshtar, si sanksionin e mundshëm. Ndërkohë që çudia fillon me vetëm tre ekipe që fitojnë të drejtën në gjysmëfinale, përveç Tiranës dhe Shkumbinit, të drejtën për të vazhduar më tej do ta fitojë Vllaznia. Por është ende e paqartë se si do të procedohet në këtë tur, ku mungon një skuadër për të formuar dy çiftet e gjysmëfinales. Gjithsesi ideja me përfolur është ajo e hedhjes së shortit, ku njëra prej tri skuadrave, Tirana, Shkumbini dhe Vllaznia, të kalojë direkt në finale, ndërsa dy të tjerat të përballen mes tyre për të nxjerrë edhe finalistin e dytë. Kjo është zgjidhja më e mundshme, por për atë zyrtare duhet pritur vendimi i Komisionit të Disiplinës.