E Shtunë, 31 Tetor 2026

GEZUAR PERSERI!

Duket si një traditë dhe shpesh fjalët tingëllojnë
të njëjta. Duket sikur janë thënë tre vite më
parë, kur lindi; sikur janë thënë një vit më pas,
kur kishte nisur ndërkohë ecjen në rrugën e pashtruar;
sikur janë thënë edhe para një viti, kur i thamë:
Gëzuar ditëlindjen! Në të vërtetë kështu duket, por ja
që nuk është bash ashtu. Në këtë ditëlindje të tretë,
fjala është më e pjekur. Ashtu si edhe SHQIP.
E pra, duke ecur e duke mësuar, ja ku mbërritëm
në takimin tonë, të dashur lexues! Një takim ndryshe
nga ai i përditshmi. Si sot tre vjet më parë, gazetave të
shumta në Shqipërinë tonë të vogël, iu shtua edhe një:
SHQIP. Me një format të veçantë, me një cilësi për t‘u
admiruar, e për më tepër, me një larmi lajmesh, të
përcjella te ju, ashtu siç janë në të vërtetë, ajo u bë
shumë shpejt një zë autoritar në tregun e ndenjur dhe
kaotik shqiptar, jo vetëm të mediave.
"Kjo puna jonë është punë dreqi", do të thoshte
kryeredaktori i parë i SHQIP, Fatos Baxhaku, kur e pyesin
për gazetat dhe gazetarët. Sepse, - do të vijonte ai, -
na duhet që në rastin më të parë të fiksojmë e të fotografojmë
atë që është më e dhimbshme për racën
njerëzore: Të ligën. Dhe ka më se të drejtë. Sikurse ka
të drejtë në arsyetimin e tij, kur shpesh e pyesnin
(sikurse ai vetveten): Përse duhej një gazetë më shumë
në tezgat e Tiranës dhe të Shqipërisë? Sepse SHQIP do
të ishte ndryshe, sikurse është dhe po bëhet përditë e
më shumë. Sepse SHQIP po sjell në faqet e saj të shumta
Shqipërinë tjetër, atë të njerëzve të punës, të njerëzve
të ndershëm që po e mbajnë në këmbë këtë ngrehinë
me emër të bukur: Shqipëri.
SHQIP nisi rrugëtimin në 13 marsin me shi të vitit
2006. Bashkë me hapin, atëherë të ndrojtur, kishte dhe
një qëllim: Të thotë gjithnjë të vërtetën dhe në gjuhën
tonë: shqip. A ia kemi arritur? Themi se po, sa
kohë që jemi ndër zërat më autoritarë të medias së
shkruar, që dëgjohet, fort madje, jo vetëm në Shqipëri,
por edhe shumë larg saj. Megjithatë, kemi ende shumë
për të bërë. Ne dhe bashkëpunëtorët tanë, kudo që
janë, të cilëve u takon një falënderim i veçantë për ndihmën
që kurrë nuk na e kanë kursyer. Në mënyrë që
SHQIP-it t‘i themi çdo 13 mars: Gëzuar ditëlindjen!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›