E Shtunë, 31 Tetor 2026

NDRYSHE DHE NJESOJ PAS NJE MUAJI...

Rreth 110 ditë para datës 28 qershor 2009 dhe vetëm një muaj më shumë të parapërgatitjeve zgjedhore kanë qenë të mjaftueshme për të sjellë ndryshime të mjaftueshme, për t‘u kapur nga sondazhi i kryer nga kompania "Zogby", me të dhënat e grumbulluara nga pyetjet ballë përballë të 1000 personave, në periudhën 10 shkurt deri më 26 shkurt 2009.

Sondazhi i parë është kryer në periudhën 13 janar-5 shkurt, kurse i dyti në periudhën 10-26 shkurt 2009. Duket normale që është zvogëluar përqindja e personave të pavendosur që ka rënë nga 19 për qind në periudhën e mëparshme (13 janar-5 shkurt 2009) në 12 për qind (në periudhën 10-26 shkurt 2009).

I. Të rejat e sondazhit…

Përfundimi i parë i pritshëm tregon se është zvogëluar me 7 për qind numri i personave të pavendosur që ka rënë nga 19 për qind në periudhën e parë, në 12 për qind në periudhën e dytë. Ky numër i të pavendosurve duket të jetë i shpërndarë në mënyrë të balancuar midis forcave politike, të majta e të djathta, duke ruajtur të pandryshuar diferencën midis tyre nga muaji janar në shkurt.

Një përfundim i dytë lidhet me shfaqjen në tabelat e "Zogby", në mënyrë eksplicite dy forca politike, G99 me 2 për qind të votave dhe PAA me 1 për qind të votave.

Përfundimi i tretë është se përmbyset rezultati i ngushtë i janarit, për sa i përket vlerësimit të votuesve mbi ecurinë e vendit në rrugë "të drejtë" apo "të gabuar". Ndërkohë që në janar, 44 për qind e votuesve mendonin se vendi po ecën në rrugë "të drejtë", ndaj 41 për qind që mendonin se vendi po ecën në rrugë "të gabuar", tani në shkurt, 45 për qind mendojnë se vendi po ecën në rrugë "të gabuar", ndaj 41 për qind në rrugë "të drejtë".

Përfundimi i katërt lidhet me një të dhënë të re që jepet vetëm në sondazhin e dytë: Ǒmendojnë të pavendosurit për "punën" e Kryeministrit dhe të kryetarit të PS-së. Këtu duhet bërë një sqarim, që lidhet me mënyrën e pyetjes selektive, ku çdo të pyeturi i jepen 5 mundësi përgjigjesh. 1) shkëlqyeshëm, 2) mirë, 3) fair (pranueshëm ose mjaftueshëm), 4) keq dhe 5) i pasigurt është bërë agregimi "pozitiv = shkëlqyeshëm dhe mirë" dhe "negativ= mjaftueshëm dhe keq", që në perceptimin tradicional shqiptar nuk është i mirëpërshtatur, sepse "pranueshëm apo mjaftueshëm" nuk konsiderohet vlerësim negativ.

Në variantin sipas agregimit të "Zogby" rezulton se ka rreth 7 për qind të pavendosur më shumë, të cilët kanë mendim pozitiv për Ramën ndaj Berishës, po ashtu siç kanë 9 për qind më shumë të pavendosur mendim negativ për Berishën ndaj Ramës. Dhe kjo nuk ndryshon, nëse do të bëhej agregimi sipas perceptimit tradicional shqiptar. Kjo shifër tregon se të pavendosurit janë të prirur më shumë (7-9 për qind) t‘i afrohen Ramës, sesa Berishës.

Përfundimi i pestë lidhet me qëndrimin e të pavendosurve ndaj dy partive politike, PD e PS, që shfaqet për herë të parë në sondazhin e këtij muaji. Konkretisht, 53 për qind e të pavendosurve vlerësojnë pozitivisht PD-në, ndaj 49% që vlerësojnë pozitivisht PS-në. Nga ana tjetër, 36 për qind e tyre vlerësojnë negativisht PD-në, ndaj 37 për qind që vlerësojnë negativisht PS-në. Kjo shifër tregon se të pavendosurit janë lehtësisht të prirur (4 për qind) më shumë nga PD, sesa nga PS.

Një përfundim i gjashtë mund të nxirret nga krahasimi i përfundimeve të treta e të katërta. Sjelljet e të pavendosurve ndaj dy partive kryesore janë të përmbysura po të krahasohet sjellja e tyre ndaj dy liderëve kryesorë, Edi Rama e Sali Berisha. Ndërkohë që PD tërheq katër për qind më shumë të pavendosur sesa tërheq PS, Edi Rama tërheq 7 për qind të pavendosur më shumë sesa Sali Berisha.

Përfundimi i shtatë lidhet me sjelljen e votuesve ndaj çështjeve kryesore që i shqetësojnë. Ndonëse mbeten përsëri të njëjta pesë shqetësimet e kryesore: 1) papunësia, 2) ekonomia, 3) varfëria, 4) korrupsioni dhe 5) çmimet e larta, vihet re që, për shkak të krizës, rritjen më të madhe në muajin shkurt ndaj janarit e kanë ekonomia me 7 për qind dhe çmimet e larta me 4 për qind, të cilat lidhen kryesisht me krizën globale, ndërkohë që shqetësimi për varfërinë shfaqet i ulur me 4 për qind në shkurt, në krahasim me janarin.

Përfundimi i tetë lidhet me rritjen me pesë për qind të zgjedhësve që do të merrnin pjesë në votim në muajin shkurt, ndaj atyre të muajit janar.

II. Tendencat politike që mbeten të njëjta...

Së pari vazhdon të mbetet e qartë që PS është forca e parë politike me distancë prej 5 për qind ndaj PD-së, ndonëse kjo diferencë shfaqet e zvogëluar me 2 për qind në shkurt (po të krahasohet me janarin). Kjo mund të shpjegohet me shfaqjen e G99-ës. Po ashtu, mbetet e pandryshuar diferenca midis grupimeve (potencialisht aleate në zgjedhjet e qershorit 2009) të majta e të djathta, diferencë që lëviz në kufijtë e 6-7 për qind në favor të grupimit të majtë (pa përfshirë LSI-në në këtë agregim).

Së dyti, shqetësimet kryesore për votuesit mbeten edhe në muajin shkurt të njëjtat me ato të një muaji më parë. Madje, ato nuk ndryshojnë renditjen midis tyre.

Së treti, LSI ruan të njëjtën mbështetje prej pesë për qind si një muaj më parë, ndonëse është zvogëluar me 7 për qind numri i të pavendosurve. E thënë ndryshe, LSI ruan të njëjtën masë duke mos u rritur as nga zvogëlimi i numrit të të pavendosurve dhe as nga lëvizjet e votuesve nga partitë e tjera në drejtim të saj apo anasjelltas.

III. Në vend të përfundimit të përgjithshëm…

Tendenca politike duket qartësisht e pandryshueshme në favor të PS-së dhe së majtës. Mbetet të elaborohet elektorati i pavendosur i reduktuar në 12 për qind dhe të tërhiqet në votim elektorati që në masën 13 për qind është shprehur se "mundet" të marrë pjesë në zgjedhje. Është interesante se në konkurrimin midis dy poleve të tërheqjes parti-lider, cila nga dyshet, PS-Rama apo PD-Berisha, do të jetë më e suksesshme në tërheqjen e të pavendosurve. Nga leximi i deritanishëm integral i rezultateve të sondazhit, dyshja Rama-PS duket në avancë ndaj dyshes Berisha-PD, për sa i përket tërheqjes së të pavendosurve, ndonëse ky është një nga terrenet interesante për t‘u elaboruar intensivisht gjatë fushatës elektorale. Gabimet në vlerësimin e partive, që nga sondazhi shfaqen me 1-2 për qind, do të kishin impakt vështirësish të llogaritshëm në madhësinë e koalicioneve elektorale. Po ashtu duhet pasur parasysh se rezultatet e sondazhit janë në shkallë kombëtare, ndërkohë që është e pamundur të përkthehen ato në terrenin e qarkut, mbi bazën e të cilit bëhet llogaritja e mandateve. E po ashtu duhet pasur parasysh se fushata elektorale reale ende nuk ka filluar dhe ndodhemi 110 ditë larg 28 qershorit 2009.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›