E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armiket e kilogramit

Hygerta Sako

Kush janë femrat e njohura që kanë humbur më shumë kilogramë nga pesha trupore?! Klasifikimi i mëposhtëm ju jep më shumë detaje, duke zbuluar njëherësh recetat e dobësimit të personazheve VIP

Vendi i parë në klasifikimin e femrave që janë dobësuar më shumë i takon Hygerta Sakos. Ish-”Miss Shqipëria 1996” ka shtuar jo pak kilogramë në peshën e saj trupore, sidomos gjatë periudhës së shtatzënisë. Pas lindjes së vajzës dhe rikthimit në televizion, sigurisht që mami Gerta nuk mund të rrinte duarkryq duke parë trupin e transformuar. Kështu, për të pasur edhe një herë linjat perfekte të dikurshme, ajo iu nënshtrua dietës spartane, me të cilën reduktoi plot 13 kg. Për Hygertën, kjo mund të konsiderohet pa frikë si një betejë e fituar, pasi ajo aktualisht ka forma tejet perfekte, që çdo femër tjetër do t’i kishte zili. “Për katër muaj rresht kam mbajtur një regjim të rreptë sa i takon ushqimit. Javën e parë kam rënë 3 kile, më pas 6, derisa hoqa plot 13 kg”, është shprehur ajo. Nga 76 kilogramë, aktualisht pesha e Hygertës ka shkuar 63 kg, në kufij normalë kjo në raport edhe me gjatësinë e ish-”Miss Shqipërisë”.

Një vend më poshtë renditet këngëtarja kosovare Teuta Kurti. Konkurrentja e “Etheve të së premtes mbrëma” ka humbur kohët e fundit 10 kilogramë. Gjithçka e ka arritur falë një vullneti të hekurt dhe dëshirës për të pasur sërish hiret e lakmuara nga të gjithë. Ndonëse nuk bën pjesë në kategorinë e atyre femrave që peshohen çdo javë, për Teutën një trup i formuar është një domosdoshmëri, e për më tepër kur je një person publik, kjo kthehet në një nevojë të qenësishme. “Nuk jam nga këto tipat e fiksuar që rrinë para pasqyrës, duke i thënë vetes se duhet për t’u dobësuar me çdo çmim, por kohët e fundit e ndjeja se e kisha tepruar me regjimin. Kështu, duke konsumuar shumë ujë dhe duke u ushqyer me produkte të kontrolluara, ia kam dalë mbanë që të humbas 10 kilogramë, e aktualisht peshoj 60 kg. Por nuk duhet të harroj që kam nisur të eliminoj ëmbëlsirat, si dhe ecjet me makinë”, pohon ajo.

Edhe tetë kilogramët e humbur të Rosela Gjylbegut nuk janë pak për të, ndonëse ajo renditet në vend të tretë sa i takon klasifikimit tonë. Kush e ka njohur më parë këngëtaren, e di fare mirë sesi është transformuar ajo nga një femër e shëndoshë, në një tjetër çupëlinë elegante. Këtë detaj nuk e ke vështirë ta pikasësh që në momentin e parë që e ndesh Roselën, e sidomos këto muajt e fundit. Shkodrania pjesëmarrëse në edicionin e parë të “Etheve”, shpjegon se të pasurit një trup në formë është e rëndësishme jo vetëm për metabolizmin, por edhe për të pasur një imazh të kuruar me kujdes. “Mendoj se në shëndoshjen time pati gisht ndalimi i sporteve të preferuara, si volejbolli e basketbolli. Atëherë format e mia morën vërtet kot, por ia arrita që të rikthehesha edhe njëherë në formë, falë regjimit në ushqim dhe vrapit nga liqeni”, pohon Rosela.

Më pak kilogramë ka reduktuar kosovarja Genta Ismaili, gjë që e rendit në vend të katërt. Kur ajo rrëmbeu çmimin e parë në festivalin “Kënga magjike”, hiret e bukura femërore bënë për vete shumë meshkuj. Me kalimin e muajve, Genta nisi të shëndoshej e vetëm kur trupi po jepte alarmin e “SOS”-it, ajo me vullnet të hekurt vendosi që t’i rikthehej edhe një herë peshës normale. “Dieta ka qenë tejet e rreptë, sigurisht e ndjekur edhe nga një regjim në palestër, të cilin e kam praktikuar dy herë në ditë e nga kjo kam humbur 6 kg. Doja të isha edhe një herë si më parë dhe ia kam arritur mrekullisht. Tani ndjehem më rehat me çdo centimetër të trupit tim”, është shprehur Genta Ismaili.

Vendi i pestë dhe i fundit në klasifikim i takon Inis Gjonit. Shou girli i njohur që ka kapur të tridhjetat, ruan një peshë trupore që çdo vajzë tjetër do ta kishte zili. Linjat elegante të drejtueses së emisionit “Takim ekskluziv” nuk janë të tilla vetëm falë palestrës, që duket se është kthyer në aktivitetin më të dashur për Inisin, por edhe falë dietës që ajo ka ndjekur. Ushqimi i preferuar i saj vazhdon të jetë mishi i pulës, peshku dhe frutat, të cilët e kanë ndihmuar jo vetëm që të ulë mbi 5 kilogramë, por që të ruajë edhe linja të lejueshme për moshën e saj.

HIT PARADE 

Hygerta Sako, 13 kilogramë

Teuta Kurti, 10 kilogramë

Rosela Gjylbegu, 8 kilogramë

Genta Ismaili, 6 kilogramë

Inis Gjoni, 5 kilogramë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›