Spanjë, FMN në alarm për ekonominë dhe deficitin
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur sërish pikëpyetje në lidhje me shqetësimet për fatin e ekonomisë spanjolle, duke bërë të ditur se vendi ka nevojë të menjëhershme për reforma rrënjësore në mënyrë që ta marrë veten. Sipas një komenti të FMN-së, vendi po përballet me sfida shumë të mëdha, përfshi nevojën e reformave urgjente në tregun problematik të punës, si dhe në sektorin bankar. Komentet e FMN-së vijnë në një moment kur autoritetet spanjolle kanë vepruar me urgjencë për të shpëtuar në fundjavë një institucion huadhënës që ndodhej në një situatë shumë të rëndë ekonomike dhe në prag të shpalljes së falimentimit. Një javë më parë, qeveria ka miratuar masat për reduktimin e shpenzimeve të buxhetit, masa që tashmë janë marrë në shkallë të gjerë në Greqi. Aktualisht deficiti buxhetor në Spanjë është i një shkalle shqetësuese prej 11% të Prodhimit Kombëtar Bruto. Kjo është një shifër thelbësisht e lartë krahasuar me 3% e deficitit buxhetor që lejon eurozona për të gjitha vendet anëtare të saj. Në një situatë të vështirë është tregu i banesave në Spanjë dhe sektori privat, veçanërisht ai financiar. Për FMN-në nuk është hera e parë që kërkon reforma thelbësore financiare për Spanjën.
#