Dekorimi, Lin Delija, “Nderi i Kombit”, pas vdekjes
Dekorimi, Lin Delija, “Nderi i Kombit”, pas vdekjes
Një dekorim pas vdekjes, por edhe një ekspozitë me vepra të papublikuara më parë në Shqipëri. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi dje me Urdhrin “Nderi i Kombit” piktorin shqiptar, Lin Delija, pas vdekjes me motivacionin: “Piktorit të madh shqiptar, që me artin e tij pasqyroi lidhjen e fortë me atdheun dhe promovoi vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Artistit autentik dhe përfaqësues në botë, i cili shndërroi temën shqiptare në vlerë universale, artin e tij në trashëgimi të përjetshme dhe urë komunikimi mes popujve”. “Lin Delija vërtet ishte një piktor që realizoi portrete, skena, peizazhe të përjetshme, por me aq sa kemi mësuar deri tani për jetën e tij, ishte edhe mbajtësi i një porosie atdhetare, intelektuale e shqiptare që e mori me vete në arrati në botën e lirë”, tha Presidenti Topi. Pas ceremonisë, të gjithë të ftuarit patën mundësi të njihen më nga afër me veprën e Delisë përmes një ekspozite të organizuar në ambientet e Presidencës.