E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eneida, vogëlushja që mori bekimin e Nënë Terezës

DURRËS- Eneida Bega, 22 vjet më parë gjatë njërës prej vizitave të para të Shenjtores shqiptare Nënë Tereza, në vendin e saj, ka marrë bekimin e Nënë Terezës dhe foton e atij çasti e ruan si një kujtim të shtrenjtë.

Në ditën e festës së Lumtërimit të gruas më të madhe të planetit Eneida Bega tregon se gjithçka ka ndodhur pas një koncerti në kampin e fëmijëve në Plepa të Durrësit, ndërsa siç thotë e ëma mjeke, Irena Bega, fotoja e rrallë e gushtit të vitit 1989 mban firmën e fotoreporterit Petrit Kumi.

“Isha vetëm 5 vjeç dhe bashkë me plot njerëz të tjerë ishim afruar ta shikonim Nënë Terezën", kujton Eneida. "Mami, vijon ajo, më kishte shpjeguar, siç mund t'i tregohet një fëmije, se gruaja imcake e veshur me pelerinën e bardhë kishte ndihmuar mijra njerëz në mbarë botën.

Pak minuta më vonë nga vendi ku ishte ulur Nënë Tereza i hodhi sytë te unë dhe më thirri me shenjë", kujton hollësisht Eneida, e cila tani është 27 vjeç dhe jeton në Rimini. "Unë në ato çaste ndjehesha e ndrojtur dhe gati e frikësuar, dëshmon Eneida, por përkthyesja mi mblodhi duart rreth gjoksit, duke më treguar që Nënë Tereza ka dëshirë të lutet për ty dhe të të bekojë”.

Kanë kaluar 22 vjet dhe për Eneidën dhe ky takim mbetet një nga kujtimet më të bukura të jetës së saj.

"Kur flas me të tjerët gati nuk më besojnë, pasi është e rrallë të takosh dhe të kesh patur fatin të të bekojë Nënë Tereza",- përfundon Eneida Bega.
(e.m/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›