E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujtime nga vizitat e Nënë Terezës në Shqipëri

TIRANE- Prej vitit 1989 dhe deri sa mbylli sytë Nënë Tereza nuk i ndërpreu vizitat në Shqipëri.

Para se të vizitonte Shqipërinë në vitin 1991, kur diktatura kishte rënë, Nënë Tereza i shkruan një letër Ministrit të Punëve të Jashtme në atë kohë, Muhamet Kapllanit, ku i kërkonte që, duke shfrytëzuar postin e lartë, ta ndihmonte për çeljen në Shqipëri të një Urdhëri të Bamirësisë.

Prej atij viti, dhjetëra murgesha "motra të Nënë Terezës", të veshura me një mantel në ngjyrë të bardhë, në konturet e të cilit dallohen qartë dy shirita të kaltër (veshja e më të varfërve të Indisë), kryejnë një veprimtari të gjerë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve në Shqipëri.

Në fund të takimit, siç kujton Kapllani, Nënë Tereza ka theksuar “fund-shekulli ynë (i XX-të), karakterizohet nga zbulime të mëdha të shkencës dhe teknologjisë, por asnjë prej tyre, nuk mund të zëvendësojë dashurinë dhe dhimbjen njerëzore".

Vizita tjetër e Nënë Terezës në Shqipëri përkon me fillim-pranverën e vitit 1991, që ishte dhe fundi i “dimrit” të madh komunist. Kjo ishte dhe periudha kur u instalua kongregata e parë në Shqipëri.

Dy shtëpitë e para bamirëse të Nënë Terezës u krijuan në Tiranë që në atë vit. Shtëpia e quajtur “Tirana 1” në rrugën e Kavajës dhe një shtëpi tjetër, ku Nënë Tereza vendosi të moshuarat.

Në korrikun e 1991, Nënë Tereza u kthye përsëri në Shqipëri me një grup mjekësh amerikanë dhe pasi vizitoi zonat e ndryshme të vendit krijoi shtëpinë e Misionareve të Dashurisë në Durrës. E më pas u çelën shtëpitë e tjera në Elbasan, Pukë dhe Korçë.

KANË THËNË PËR NËNË TEREZËN
Papa Gjon Pali i II: “Një grua që i dha formë historisë së këtij shekulli. Një shembull i shkëlqyer i asaj, se si dashuria për Zotin shndërrohet në dashuri për të afërmin. Ajo zgjodhi të ishte jo vetëm e fundmja, por shërbëtorja e të fundmëve, duke e quajtur veten gjithashtu një ikonë të gjallë të dhembshurisë”.

Ish-kryeministrja e Indisë, Indira Gandi: "Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë".

Shkrimtari francez Dominique Lapierre: “Për mua ajo ka qenë dhe është një shënjtore në zemrat e të varfërve në botë. Mua nuk më nevojitet nënshkrimi i ndonjë kleriku në ndonjë dokument për të vendosur që ajo është shenjtore.”

Gazeta "Boston Globe": "Nënë Tereza nuk vdiq e re, ajo jetoi një jetë të plotë dhe produktive, duke u ofruar ndihmë jetimeve të braktisur, të sëmurëve dhe atyre me një këmbë në varr, të cilët i adoptoi si të ishin fëmijet e saj. Ajo është shpërblyer me disa nga nderimet më të mëdha që mund të ofrojë njerëzimi, përfshirë çmimin Nobel për Paqe. Ajo nuk i frymëzoi njerëzit përmes reklameve dhe çmimeve, por përmes përkushtimit, shembullit personal dhe punës."

Gazeta "The harpert Curent": Mbretërit, mbretëreshat, presidentet, kryeministrat, patriarkët dhe papët vijnë dhe ikin, po ashtu edhe fituesit e çmimit Nobel, por Nënë Terezë do të ketë vetëm një: ajo jetoi në brezin tonë, në shekullin tonë dhe ne i jemi mirenjohjës për këtë."
(ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›