E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kursi i këmbimit, forcohet Leku ndaj Euros e Dollarit

TIRANE-  Monedha shqiptare Lek po tregon qëndrueshmëri, duke arritur të fitojë terren në tregun e këmbimit valutor kundrejt monedhave të huaja.

Në mesin e muajit tetor leku ka arritur të frenojë disi vlerësimin e euros, si dhe ka forcuar dukshëm pozitat ndaj monedhës amerikane dollar.
Prej tre javësh, një euro vlerësohet me jo më shumë se 141 lekë, kjo sipas kursit mesatar të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë që ditën e sotme 1 euro u ble me 140.50 lekë nga 141 lekë që ishte në fillim të kësaj jave.

Specialistët thonë se qetësimi i lëvizjes së euros, si në ofertë ashtu dhe në kërkesë ka sjellë këtë sjellje të qëndrueshme në këmbimin mes euros dhe lekut. Kështu, mos hyrja e emigrantëve dhe turistëve siç ndodhi gjatë mujit gusht, por edhe mos dalja e shqiptarëve për pushime ka bërë që euro të qëndrojë në vlera pothuajse të pandryshueshme.

Ndërkohë, sjellje krejt tjetër ka pasur kundrejt monedhës amerikane. Një dollar në fillim të tetorit u këmbye me vlerën maksimale prej 106 lekë e 40 qindarka, ndërsa pas dy javësh vlera ra me më shumë se 4 lekë. Të mërkurën, Banka e Shqipërisë deklaroi vlerën mesatare të këmbimit prej 102 lekë e 70 qindarka për një dollar.

Specialistët thonë se kërkesa modeste për monedhën amerikanë solli dhe këtë rënie të vlerës ndaj lekut shqiptar. Ata parashikojnë se në fillim të muajit dhjetor mund të nisin lëvizjet në tregun e këmbimit të monedhave
(s.g/atsh/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›