E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energji diellore në Shqipëri, lajm i madh

Lavdosh Ferruni 

Ndërsa po vërtitet hija e rëndë e territ mbi Shqipëri mbërrin një lajm i madh. Kryeministri Berisha priti në një takim përfaqësuesit e konsorciumeve elektro-industriale IC dhe CRL, të cilat kërkojnë të ndërtojnë impiante të prodhimit të energjisë diellore. Ata prezantuan projekt-idenë për ndërtimin e 6 impianteve të energjisë në zona të ndryshme të vendit, duke u angazhuar edhe për ndërtimin e linjave të transmetimit. Kryeministri Berisha mirëpriti projektet e tyre për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme dhe i siguroi se do të kenë mbështetjen e autoriteteve shqiptare.
Ky është vërtet një lajm i madh për Shqipërinë. Më shumë energji e pastër për Shqipërinë, më shumë punësim dhe mbi të gjitha financimi jo prej taksapaguesve shqiptarë, investim i huaj. Për më shumë ndërtimi i impianteve diellore bëhet në një kohë rekord. Nëse ka një investim, ku edhe ka sens Shqipëria 1 euro është investimi në energjinë diellore.
Manjatët e industrive të zeza dhe institucionet apo ithtarët dritëshkurtër e të paskrupullt këtu në Shqipëri, në marrjen e statusit të privilegjuar në industrinë e tyre fosile kanë sjellë gjithnjë si argument “të pakundërshtueshëm” koston e lartë të energjisë diellore. Me propozimin e bërë Kryeministrit shqiptar prej konsorciumeve të mësipërme italiane bie ky argument. Konsorciumet i kanë të qëruara llogaritë e tyre. Situatë e pastër win-win. Shqipëria nuk merr asnjë risk në këtë partneritet. Tokat që mund të përdoret për instalimin e impianteve diellore mund të jenë kudo, mund (duhet) të jenë joproduktive, jo në bregdet, mjafton të ketë diell me shumicë, pasuri që Shqipëria e ka. Por çka iu kërkua Berishës për instalim të energjisë diellore nuk është ndonjë rast i shkëputur, përkundrazi është një trend i fortë sot në botë.
Kërkesa për energji diellore është rritur me 30% në vit në 15 vitet e fundit, krahasuar me 0-2% për energjinë nga hidrokarburet. Tregu amerikan për energjinë diellore u rrit me 57% në vitin 2007. Ndërsa Spanja, si vend mesdhetar pati një rritje eksponenciale prej 48%. Në muajin shkurt të këtij viti qeveria italiane miratoi një plan për të instaluar 3000 MW kapacitet (sa dyfishi i kapacitetit total të Shqipërisë) deri në vitin 2016. Gjermania, megjithëse me rrezatim mesatar diellor 3-3.8 Kwh/m2/ditë, kundrejt rreth 4.5 Kwh/m2/ditë që ka Shqipëria, Italia Jugut e Spanja mbeten liderë në botë për këtë lloj energjie, duke prodhuar prej kësaj energjie sa i gjithë prodhimi i energjisë elektrike aktualisht i Shqipërisë.
Industria fotovoltaike (impiante diellore) arriti në 10 miliardë USD në vitin 2007.
Çmimet e energjisë diellore kanë rënë me 4% në vit në 15 vitet e fundit.
Spanja ka vendosur që ta bëjë të detyrueshme instalimin e paneleve diellore në ndërtesat e reja dhe të rinovuara. Vetëm në 10 vitet e fundit numri i kompanive me biznesin e energjisë diellore është rritur nga një duzinë në disa qindra.
Ditën që Berisha ofroi mbështetje konsorciumeve italiane për energjinë diellore, “Associated Press” botonte artikullin: “Panelet diellore mbi varre i japin energji qytetit spanjoll”.  Në Santa Coloma de Gramenent, një qytet pranë Barcelonës janë instaluar pikërisht mbi varret në varrezat e qytetit 462 panele diellore që prodhojnë energji e lidhen me rrjetin e qytetit. Koncepti lindi si një mënyrë për të përdorur një mundësi ideale zgjerimi të tokës në një qytet që do energji diellore, por është me dendësi të madhe, duke pasur 124,000 banorë në 4 km2, dhe nuk ka asnjë mundësi për të siguruar vendin për gjenerimin e energjisë. Natyrisht një ndërmarrje e tillë nuk mund të bëhej më parë pa fushatën e ndërgjegjësimit të komunitetit. Por çështja e energjisë diellore dhe energjive të tjera të rinovueshme tashmë është një politikë globale.
Barak Obama dhe Bashkimi Evropian kanë deklaruar se do t’i qëndrojnë angazhimeve për reduktimin e dioksidit të karbonit dhe investimit në teknologjitë e reja të gjelbra, duke argumentuar se veprimi i qeverisë mund të stimulojë ekonominë dhe të krijojë vende të reja pune, duke prodhuar energji të qëndrueshme. 
Z. Obama, z. De Boer (sekretar ekzekutiv për Konventën e OKB-së për Ndryshimin e Klimës) dhe Stavro Dimas (komisioneri për mjedisin i BE-së) të gjithë argumentojnë se duke mbështetur vendet e reja të punës me industri të gjelbër, madje edhe me subvencionime të mëdha nga qeveritë, ato do të krijonin një motor të rritjes ekonomike, që do të ndihmonte vendet për ta nxjerrë veten prej recesioni ekonomik. Z. Obama i bëri thirrje vendit të tij për të ndërtuar “ferma ere dhe panele diellore, vetura me karburant efecient dhe teknologji alternative energjie, që mund të na lirojnë ne nga varësia e naftës së huaj dhe ta mbajmë ekonominë tonë kompetitive ndër vite” Z. De Boer do shprehej se: “Nëse për shkak të skenarit ekonomik aktual, ju zgjidhni (energjinë) të lirën dhe të pistën, ne do të jemi në shqetësime të mëdha”. Javës tjetër vjen në Shqipëri Berluskoni, lideri i një prej 7 vendeve më të zhvilluara të Botës. Por a do jetë Berluskoni mbështetës i konsorciumeve të energjisë diellore e energjive të rinovueshme në Shqipëri, a do jetë ai kompatibël me trendet botërore? Mbetet për t’u dëgjuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›