Korrupsioni, Qeveria kallëzon në Prokurori 100 zyrtarë të shtetit
TIRANE - Qeveria e Kryeministrit Berisha do të bëjë kallëzim penal në Prokurori për 100 zyrtarë të administratës publike për korrupsion. Lajmi publikohet nga zyra e shtypit pranë Këshillit të Ministrave. Numri nuk është i pakët, por kuptimplotë për përmasat e korrupsionit në radhët ë administratës publike. Por njëherazi edhe për vendosmërinë e Qeverisë për ta luftuar atë. Kallëzimi penal për 100 punonjësit pritet të bëhet, kur nga përfundimi i mandatit të qeverisë së djathtë të Kryeministrit Berisha kanë mbetur 6 muaj dhe fushata e ardhshme elektorale pritet të ketë në zemër të saj pikërisht mbajtjen e premtimit për luftën me tolerancë zero ndaj korrupsionit gjatë këtij mandati qeverisës, premtim që publiku e mori tre vjet më parë nga Sali Berisha, lideri demokrat, që fitoi zgjedhjet e viti 2005 dhe erdhi në postin e Kryeministrit, duke pasur kalin e betejës elektorale pikërisht shpënien para drejtësisë së zyrtarëve të korruptuar. Por krahas këtij premtimi qeveria e Tiranës me kallëzimin për ndjekje penale për 100 zyrtarë të korruptuar është njëherazi edhe përmbushje e angazhimit në raport me SHBA, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe, “Sfida e mijëvjeçarit” nga e cila Shqipëria përfiton rreth 16 milionë dollarë. Synimi strategjik i kësaj marrëveshje është përdorimi i kësaj shume për uljen e korrupsionit, fuqizimin e shtetit ligjor dhe përmirësimin e lirisë ekonomike në Shqipëri. Për realizimin e këtyre objektivave, qeveria ka parashikuar edhe kallëzimin në Prokurori për ndjekje penale të 100 zyrtarëve që dyshohen si të korruptuar. Angazhimi i qeverisë së Tiranës në marrëveshjen me SHBA-në është, që prej përdorimit të shumës 16 milionë dollarë, në kuadër të programit “Sfida e mijëvjeçarit”, perceptimi i publikut për sistemin gjyqësor të përmirësohet nga 40 % në vitin 2008, në 55 për qind në 2010-ën. Për të ardhurat tatimore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ose GDP, angazhimi është që ato të rriten nga 23.6 % në 28 %, ndërsa renditja e Shqipërisë në listën e vendeve për pagimin e Tatim-taksave të përmirësohet nga vendi i 118-të në atë të 75. Qeveria e Tiranës angazhohet gjithashtu, të reduktojë kohëzgjatjen mesatare të miratimit të licencës nga 331 ditë në më pak se 120 ditë, ndërsa numrin mesatar të fazave të miratimit të licencës ta ulë nga 24 në më pak se 10 ditë. Lidhur me kohëzgjatjen e miratimit të lejeve të ndërtimit, qeveria e Tiranës merr përsipër, që ajo reduktohet nga 331 në 30 ditë, ndërsa numri i procedurave për miratimin e lejes së ndërtimit të reduktohet nga 24 në 4 ditë.
Marrë nga “Deutsche Welle”