Gjykata Kushtetuese si garante e të drejtave të njeriut
PROF. DR. AURELA ANASTASI
Dhjetë vjet më parë, Kushtetuta shqiptare përqafoi modelin demokratik liberal të Konstitucionalizmit, që ishte frymëzuar origjinalisht nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qysh në fund të shekullit të 18-të. Një nga shtyllat kryesore të tij, është respektimi i të drejtave individuale. Në këtë kuadër, gjyqtari, në përgjithësi, si dhe ai kushtetues në veçanti, janë parashikuar nga Kushtetuta si garanci procedurale të domosdoshme.
Gjyqtarët në vende të ndryshme të botës kanë qenë mjaft aktivë në forcimin e mbrojtjes së të drejtave individuale dhe pavarësisë së gjyqësorit. Nuk ka dyshim se Aktivizimi gjyqësor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga viti 1950, i zgjeroi garancitë e të drejtave të njeriut. Këshilli Kushtetues Francez, në një sërë vendimesh të shpallura gjatë vitit 1970, i dedikoi vetes pushtetin për të kontrolluar të drejtat themelore, edhe pse Kushtetuta e vitit 1958 nuk ia kishte njohur një të tillë. Këto, dhe zhvillime të ngjashme në vende të tjera, janë bazuar në një interpretim krijues nga gjyqtarët. Ky interpretim zhvillohet në sajë të ndikimit edhe nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare, doktrinat kushtetuese dhe nga vendimet gjyqësore të vendeve të tjera.
Gjykata Kushtetuese shqiptare në këto 10 vjet, e ka interpretuar në mënyrë të gjerë dhe krijuese Kushtetutën, sidomos në rastet e mbrojtjes së të drejtave individuale. Në vendimet e saj, jo vetëm janë detajuar garancitë e përmendura në Kushtetutë, por edhe janë afirmuar elemente të reja garantuese. P.sh., përmes interpretimit janë vendosur parime të pathëna shprehimisht në Kushtetutë, të cilat vlerësohen si parime-garanci mjaft të rëndësishme, për të siguruar zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore. I tillë është parimi i sigurisë juridike, parimi i qartësisë dhe saktësisë së normave, parimi i të drejtave të fituara, parimi i barazisë së armëve etj. Në këto raste mund të flasim jo vetëm thjesht për një interpretim të Kushtetutës, por edhe për një ndryshim të saj, përderisa Gjykata ka zgjeruar me fjalë të tjera thelbin e përmbajtjes dhe frymën e Kushtetutës. Në fakt, e gjitha kjo që ndodh është një hapësirë e krijuar dhe e lejuar nga vetë Kushtetuta jonë, e cila e ka thirrur drejtpërdrejt Konventën Evropiane për të drejtat e Njeriut, për të garantuar shkallën e kufizimeve të të drejtave kushtetuese, i ka vendosur marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara me fuqi mbiligjore, si dhe i ka dedikuar Gjykatës sonë Kushtetuese të drejtën për të kontrolluar pajtueshmërinë e ligjeve të brendshme me konventat ndërkombëtare. E vetmja gjë që ka shtuar Gjykata Kushtetuese në këtë pikë, është fakti se kur kontrollon pajtueshmërinë e ligjeve me konventën ndërkombëtare, ajo mban në vëmendje jo vetëm tekstin e konventës si të tillë, por edhe interpretimet që gjykata evropiane i ka bërë dispozitave të saj. Në zgjidhjen e çështjes, ajo u referohet shpesh, vendimeve të Gjykatës Evropiane e të drejtave të Njeriut, por edhe vendimeve të gjykatave të vendeve të tjera demokratike, si dhe doktrinave më të reja kushtetuese. P.sh., vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për garantimin e të drejtës për të jetuar, përbën pa dyshim një nga shëmbëlltyrat më të qarta të forcës me të cilat veprojnë standardet dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore në shtetin shqiptar (vendim nr. 65, dt. 10.12. 1999). Gjithashtu, në praktikën e saj mund të dallojmë se si garancitë ndërkombëtare të thirrura nga Kushtetuta jonë, kanë bërë që jo vetëm të ndikohet, por edhe të ndryshohet qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese. Këtu do të sillja si shembull qëndrimin e saj ndaj ekzekutimit të vendimeve të detyrueshme të gjykatës. Fillimisht, ky nuk shihej i lidhur me nenin 42 të Kushtetutës, i cili kishte përcaktuar shprehimisht vetëm shtyllat themelore të procesit të rregullt ligjor, pa i shteruar elementët e tij. Për më tepër, Gjykata jonë Kushtetuese nuk kishte mbajtur parasysh as faktin se Gjykata Evropiane e kishte interpretuar nenin 6 të Konventës Evropiane për të drejtat e Njeriut që në vitin 1997, në rastin Horsbi kundër Greqisë, në të cilën ishte shprehur se, “Ekzekutimi i një vendimi, i cilësdo gjykatë qoftë, duhet konsideruar si pjesë përbërëse e procesit të rregullt gjyqësor në kuptimin e nenit 6”. Në çështjen “Qufaj Co, Shpk, kundër Shqipërisë”, Gjykata e të Drejtave të Njeriut, konstatoi se kushtetuta dhe ligji shqiptar përmbajnë bazën e nevojshme për të garantuar qytetarin për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Kjo do të thotë se, Gjyqtari duhet të interpretojë të drejtën për një proces të rregullt ligjor jo vetëm me elementët e sanksionuara shprehimisht nga Kushtetuta, por edhe më gjerë. Aftësia e gjyqtarit për të interpretuar Kushtetutën në mënyrë krijuese është jo vetëm e mirëpritur në të drejtën Kushtetuese, por edhe e nevojshme. Kjo e bën të mundur që një Kushtetutë t’i rezistojë kohës edhe për shekuj të tërë. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese ndryshoi qëndrimin e saj për këtë çështje, me vendimin 6/2006, në të cilin, midis të tjerave theksonte: “I gjithë procesi gjyqësor, shpeshherë i vështirë e problematik, nuk do të kishte vlerë, në qoftë se nuk do të pasohej nga një proces që lidhet drejtpërsëdrejti me veprimtarinë e organeve të përmbarimit, me ekzekutimin e vendimit ose të realizimit të së drejtës së fituar”. Kur një Gjykatë Kushtetuese shprehet kështu, arsyetimi i saj nuk është i vlefshëm vetëm për rastin konkret, por për të gjitha organet shtetërore, që kanë detyrimin të ekzekutojnë vendimet e detyrueshme të gjykatave, përderisa ky është një detyrim që buron nga vetë Kushtetuta.
Gjykata Kushtetuese (Vendim nr. 20, datë 11.07.2006) ka interpretuar gjithashtu, edhe rezervën ligjore, si një nga garancitë thelbësore kushtetuese që konsiston në kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore vetëm me ligj (neni 17 i Kushtetutës). Në këtë rast, interpretimi është zhvilluar brenda fjalëve të Kushtetutës. Shprehja “vetëm me ligj”- sipas interpretimit të Gjykatës- ka kuptimin që, në rast se është i nevojshëm kufizimi i një të drejte të parashikuar në Kushtetutë, atëherë ky vlerësim është në diskrecion vetëm të ligjvënësit dhe jo të organeve të tjera, përfshirë edhe Këshillin e Ministrave”... çdo interpretim i kundërt, është padyshim një zhvleftësim i garancisë që jep Kushtetuta për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe efektivisht do t’i cenonte këto liri e të drejta”.
Por, pyetja që shtrohet është: deri ku shtrihet autoriteti ligjor i gjyqtarit për të interpretuar Kushtetutën? A mund të shkojë gjyqtari deri në ndryshimin e saj?
Në teorinë kushtetuese në Botë ka pasur dy mendime: i pari është ai që thotë se interpretimi i Kushtetutës mund të jetë i pavarur nga kuptimi origjinal, kurse i dyti kërkon që ky interpretim të jetë brenda vlerave dhe fjalëve që ekzistojnë në Kushtetutë. Pra, ndeshen përballë njëra-tjetrës dy teori, Teoria e origjinalizmit dhe e jo - origjinalizmit. Ato ende konkurrojnë me njëra-tjetrën, por teoria e origjinalizmit është ndihmuar shumë nga zhvillimi i të drejtës kushtetuese të krahasuar, i konstitucionalizmit të krahasuar, si dhe i lidhjes së fortë që ekziston sot midis të drejtës kushtetuese kombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare. Kur kushtetutat janë të padetajuara mirë, sikurse ndodh shpesh në botë, gjyqtarët janë të lirë të interpretojnë dhe të zbatojnë dispozitat që sanksionojnë të drejtat kushtetuese dhe garancitë e tyre. Prandaj, është mjaft e vështirë të dallosh interpretimin e kryer me besnikëri ndaj Kushtetutës, nga ai që quhet pseudo-interpretim, që në fakt përfshin në vetvete edhe ndryshimin e saj. Gjyqtarët mund të vendosin për çështjen, edhe pse Kushtetuta nuk jep një përgjigje të drejtpërdrejtë në lidhje me to, për shkak të boshllëqeve, dykuptimësisë, mospërputhjeve, mungesës së vijës logjike. Po të bëjmë një bilanc, pjesa më e madhe e asaj që quhet ‘Jurisprudencë Kushtetuese’ përbëhet nga doktrinat e përgjithshme, parimet metodologjike dhe interpretimet e dispozitave specifike të cilat janë në vijë logjike, por jo medoemos të kërkuara nga ato që ishin menduar nga qëllimet e hartuesve të Kushtetutës. Ky legjitimim është i ngjashëm me Common law-n dhe i lë hapësirë krijuese gjyqtarëve. Megjithatë, në fund të fundit gjyqtarët janë të pavarur si nga origjinalizmi, ashtu edhe nga interpretimet e tjera. Gjyqtarët janë krijues, pasi ata nuk mund të lajnë duart dhe ta lënë një çështje pa përgjigje. Ata kanë autoritetin ekskluziv për të përmbyll konfliktet ligjore. Këtu nuk është fjala vetëm për gjyqtarin kushtetues por edhe për gjyqtarin e zakonshëm. Gjithçka sot, dëshmon për tendencën e universalizimit të së drejtës, për ndërthurjen e rolit të gjyqtarit kombëtar e ndërkombëtar dhe ndihmën e jurisprudencave e doktrinave kushtetuese të vendeve të tjera. Mendoj se kjo gjithashtu është një garanci më vete për të drejtat dhe liritë themelore.