E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia, Konkurrenca jep rekomandimet

Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë Entit Rregullator të Energjisë Elektrike të rrisë mundësinë e përfshirjes të sa më shumë bizneseve si klientë të kualifikuar, gjë që do ta bënte kërkesën më elastike 

TIRANE - Tregu i energjisë elektrike në Shqipëri është në fazat e procesit të liberalizimit. Por, realizimi i këtij procesi kërkon investime të konsiderueshme kryesisht në burimet e reja energjetike, sistemin e transmetimit dhe atë të shpërndarjes për një efiçencë reale të tregut dhe për të siguruar shërbimin e detyrueshëm publik të furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike.

Duke marrë në konsideratë situatën e tregut të energjisë elektrike, privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ekzistencën e dy çmimeve të energjisë në tregun e shumicës, subvencionet e buxhetit dhe faktorë të tjerë, Komisioni i Konkurrencës vendosi të propozojë një sërë masash.

Rekomandimet synojnë ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për konsolidimin dhe hapjen reale të tregut të energjisë elektrike, për të siguruar një treg të energjisë funksional dhe që ofron produktin e mjaftueshëm dhe shërbimin më të mirë në çmimet më të lira të mundshme për konsumatorët.

Komisioni i Konkurrencës ka rekomanduar që në rastet kur monopolet natyrore administrohen nga shteti (KESH-Gen dhe OST), duhet të sigurohet që të funksiojnë si ndërmarrje tregtare duke eliminuar mbështetjen financiare (subvencionet) e drejtpërdrejta dhe indirekte nga buxheti i shtetit.

Përveç Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, në treg duhet të funksionojë Operatori i Furnizimit me Shumicë, mundësisht i ndarë nga OSSH, që së bashku me ndërmjetësit e tregut të energjisë dhe krijimin e një Qendre Funksionale Dispeçer do të realizonin një treg funksional të energjisë. Në këtë mënyrë do të hapet ose do të rritet konkurrenca si në krahun e prodhimin ashtu edhe ne tregun e furnizimit me shumice dhe me pakice me energji.
Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë Entit Rregullator të Energjisë Elektrike të rrisë mundësinë e përfshirjes të sa më shumë bizneseve si klientë të kualifikuar, gjë që do ta bënte kërkesën më elastike dhe tregun më të hapur. Liberalizimi i tregut i kryer “de jure” duhet të realizohet edhe “de facto” për të krijuar mundësinë e më shumë se një zgjedhjeje të burimit të furnizimit, fillimisht për klientët jo tariforë dhe më pas edhe për klientët dhe konsumatorët tariforë. Krijimit të mundësisë së furnizimit nga me shume se nje burim i energjise dhe perdorimi i rrjeteve te trasmetimit dhe shperndarjes, furnizimit me shumice dhe/ose pakicë deri te konsumatori tarifor, sipas pagesave përkatëse të rregulluara nga ERE.

Pas privatizimit të Operatorit të Sistemit Shpërndarjes, ERE-s i rekomandohet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për liberalizimin e mëtejshëm të tregut nëpërmjet licensimit të ndërmjetësve të tregut. Trasmetimi dhe operimi i sistemit vazhdojnë të mbeten monopole. Ndërsa për sa i përket shërbimeve të prodhimit, shpërndarjes dhe furnizimit në strukturën e konkurrencës në tregun e pakicës vërehet se ato ofrohen nga shumë aktorë tregu. Ndërsa e reja e konkurrencës në tregun e pakicës është futja në strukturë e ndërmjetësve, për të krijuar tregun e shumicës.
Miratimi i tarifave të tregtimit të energjisë elektrike duhet bërë në mënyrë të balancuar dhe pa diskriminime, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt kostos mesatare të ponderuar të ofertës së energjisë, duke marrë në konsideratë si koston mesatare të importit ashtu dhe prodhimit.

ERE-s i rekomandohet që të shkrijë dy metodikat e shitje-blerjes së energjisë elektrike mes prodhuesve të vegjël të energjisë elektrike dhe Furnizuesit Publik me Pakicë (Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes) në një të vetme, duke përcaktuar një metodikë që merr për bazë kostot e investimit dhe të monitorojë Furnizuesit me shumicë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes që të marrin të gjitha masat për të përmbushur detyrimet e kontratës së shit-blerjes së energjisë elektrike të lidhur me prodhuesit e vegjël.

Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë OST sh.a. dhe OSSH sh.a. që për çdo rast të sigurojë aksesin në rrjet të të gjithë konsumatorëve në përputhje me rregullat e sjelljes së operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg.
Autoriteti i Konkurrencës do të ndjekë me vëmendje zhvillimet e mëtejshme në këtë treg në drejtim të rritjes e mbrojtjes së konkurrencës së lirë dhe efektive.

(O.Zh BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›