E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, OSSH-ja hetim abuzuesve

08/06/2009  ERE-ja miratoi shtyrjen e afatit të faturimit aforfe deri më 31 dhjetor 2009

Në total 64 mijë abonentë pa matësa në Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Fier

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes po heton abuzuesit me energjinë elektrike. Pas privatizimit, deri në fund të këtij vitit, sipas një vendimi të miratuar nga ERE-ja në fund të vitit të kaluar do të lejohet faturimi aforfe. Pas këtij afati, nuk do të ketë më asnjë klient që do të furnizohet me energji dhe nuk do ta paguajë atë. Analiza e klientëve që “vjedhin” energjinë do të përfundojë pas identifikimit që ka nisur ky operator. “ERE i ka kërkuar OSSH-së që për vitin 2009 të llogarisë mirë nevojën për matësa duke marrë në konsideratë klientët e rinj, por dhe ata që do të rezultojnë nga identifikimet, të cilët marrin energji në mënyrë të paligjshme si dhe matësat e dëmtuar pa mundësi riparimi, në mënyrë që të shteren të gjitha argumentet, të cilat deri më sot kanë synuar tepër ligjin pa argumente bindës faturimin aforfe”, - theksojnë burime të ERE-s. Gjatë vitit të kaluar numri i klientëve të rinj që u pajisën me matësa ishte 44 178 klientë.

Konsumatorët

Enti Rregullator i Energjisë pas kërkesës së OSSH-së, në fund të dhjetorit të 2008-s miratoi shtyrjen për të tretën herë të afatit të faturimit aforfe. Aktualisht të gjithë ata persona që paguajnë energjinë pa matësa do të kenë mundësi që të përfitojnë deri më 31 dhjetor të 2009-s. Kjo shtyrje u bë për të mos shtuar abuzimet me energjinë elektrike. “OSSH-ja ndodhej në fazën finale të procesit të privatizimit. Nëse ERE-ja do të vendoste që të mos e lejonte faturimin aforfe, atëherë të gjithë klientët pa matësa nuk do të paguanin energjinë elektrike dhe në këtë mënyrë OSSH-ja do të penalizohej për mosrespektimin e detyrimit të saj me një dëm të ndjeshëm financiar. Shoqëria çeke CEZ nuk mban asnjë përgjegjësi pse klientët nuk janë të pajisur me matësa. Për pasojë nuk do të ishte e drejtë dhe e pranueshme që t’i transferohej një penalizim i tillë, pas procesit të privatizimit”, - theksojnë burimet e ERE-s.

Faktorët

Shoqëria private është e interesuar për pajisjen e të gjithë klientëve me matësa. Aktualisht klientët me faturim aforfe e përdorin energjinë elektrike pa limit. Kjo do të thotë se ata paguajnë vetëm një pjesë të energjisë që konsumojnë sipas tarifimit aforfe, duke sjellë një dëm të ndjeshëm financiar për shoqërinë. Aktualisht numri i klientëve me faturim aforfe është reduktuar në 63 590. Zonat që kanë përqindjen më të lartë të klientëve pa matësa, në krahasim me numrin e përgjithshëm të klientëve të zonës përkatëse, janë Kukësi me 22.19% dhe Shkodra me 17.19%. Duke ju referuar numrit absolut të klientëve pa matësa në zonat e shpërndarjes, konstatohet se vetëm në 4 zona në Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Fier, janë pa matësa 55 902 abonentë, ose 88% e numrit të përgjithshëm të abonentëve pa matësa.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›