E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë-Elbasan, prezantohet projekti i rrugës me tunel

Shoqëria anonime “Kërraba 2007”, ideuese e projektit të ri të rrugës me tunel Elbasan-Kërrabë-Tiranë, prezantoi dje projektin e saj teknik. Në ceremoninë prezantuese ishin të pranishëm autoritetet më të larta vendore si dhe zëvendësministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, z. Ernest Noka. Fatbardh Doko, kryetari i bordit të shoqërisë “Kërraba 2007”, u tha të pranishmeve se kjo rrugë e re, me gjatësi 31,5 km, prej të cilave 2,5 km tunel, e konceptuar si autostrade me 4 korsi, do ta integrojë qytetin e Elbasanit në hartën e rajonit me treguesit më të lartë të zhvillimit njerëzor në Shqipëri. “Ky segment, - tha Doko, - bashkon Tiranën dhe Elbasanin në një kornizë ekonomike të përbashkët dhe komplementare, rrit efektivitetin e zonës industriale të Elbasanit, rrit vlerën e pasurive së paluajtshme të krejt qarkut, forcon arsyet e ndërtimit në Elbasan të zonës së lirë ekonomike, zgjeron shanset për burimet njerëzore aktuale dhe forcon prirjen për thithje investimesh”. Zv.ministri i Transportit, Ernest Noka, nënvizoi në takim angazhimin e qeverisë për të zhvilluar infrastrukturën rrugore në të gjithë vendin, duke e konsideruar këtë një premisë reale për zhvillimin e balancuar rajonal dhe për përparimin ekonomik - sidomos në sektorët prodhues. Rruga aktuale që bashkon Elbasanin me Tiranën është 54 km dhe është projektuar sipas standardeve të pas-Luftës së Dytë Botërore. Sipas ekspertëve, ajo është e paaftë të përballoje trafikun e mallrave që lëvizin kryesisht në trajlera apo mjete të rënda motorike. Projekti i prezantuar nga shoqëria “Kërraba 2007” sh.a. arrin një kosto maksimale prej afro 170 milionë eurosh. Segmenti i ri që propozohet, ka një gjatësi prej 31.5 km dhe është një autostradë 15 metra e gjerë, me katër korsi dhe me një korsi emergjence. Një tunel prej 2,5 km përbën zgjidhjen kryesore të tij dhe pa dyshim edhe koston reale. Rruga e re zhvillohet pothuajse paralel me atë ekzistuese dhe jo shumë larg prej saj, por mbi koncepte krejt të ndryshme: ndërsa rruga ekzistuese është konceptuar dhe trasuar në kurrizin e formacioneve kodrinore-malore, traseja e rrugës së re bazohet në kalimin në luginat ekzistuese dhe trasimin me tunel të formacioneve malore.

Bazuar në rezultatet e modelimit të trafikut, si dhe trafikun ekzistues në segmentin Tiranë-Elbasan, trafiku mesatar ditor për 25 vitet e ardhshme parashikohet të arrijë në 8,503 mjete në vitin 2011 (konsideruar si data e përfundimit të veprës). Ndërsa deri në vitin 2035 trafiku parashikohet të arrijë në 80,000 mjete në ditë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›