E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për 23 HEC-e vendore, tenderat në qershor për dhënie me koncesion



Në zbatim të politikës ekonomike të qeverisë shqiptare për fuqizimin e sektorit energjetik të vendit, kanë ardhur në rritje kërkesat për ndërtimin e hidrocentraleve vendore me koncesion. Sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), së shpejti pritet organizimi i tenderave për dhënien me koncesion të dhjetëra hidrocentraleve lokalë, që do të bëjnë të mundur shtimin e prodhimit të energjisë elektrike. Mes këtyre HEC-eve, që janë miratuar për t'u ndërtuar me koncesion, përfshihen pesë hidrocentralet e reja si "Suha 1”, “Rrapun 3”, “Llanga 1”, “Sotirë 1”, “Sotirë 2", për të cilët janë bërë të gjitha aplikimet nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila është dhe autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion të formës "BOT" (Ndërtim, operim dhe transferim).

Po ashtu, të njëjtat burime vënë në dukje se mes tenderave koncesionarë që pritet të zhvillohen së shpejti janë edhe ato për HEC-in në përroin e Shtikës (Këlcyrë), në lumin Shushicë (Vlorë), në përroin Trebisht (Bulqizë), në rezervuarin e Thanës (Lushnje) etj.

Sipas METE-s, numri i kontratave koncesionare me firmat shqiptare dhe të huaja për ndërtimin e HEC-eve vendore arrin në mbi 50 të tilla, me shpërndarje në të gjithë Shqipërinë, të cilat janë miratuar edhe nga qeveria. Investimi total në to arrin në mbi 200 milionë euro, fuqia e instaluar në 216 MW, ndërsa kapaciteti prodhues vjetor i energjisë në 700 GWh/vit. Ndërtimi i HEC-eve është një nga projektet më të rëndësishme të qeverisë, në mënyrë që Shqipëria një herë e përgjithmonë të eliminojë mungesën e energjisë dhe të kthehet brenda një kohe të shkurtër në një eksportues neto të energjisë elektrike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›