E Shtunë, 31 Tetor 2026

“One Stop Shop” për licencat hapet më 9 qershor



Vetëm pak ditë na ndajnë nga kohë kur të gjithë të interesuarit, për të marrë një leje apo licencë, do të kenë një qendër të posaçme për ta marrë atë vetëm me një ndalesë. Në datën 9 qershor do të inaugurohet në Tiranë qendra e re për licencat dhe “One Stop Shop”, si institucioni i vetëm që u vjen në ndihmë bizneseve të reja për regjistrimin dhe licencimin e tyre në një kohë rekord. Ministri i Financave, Ridvan Bode, duke folur për zhvillimet ekonomike e financiare në vend gjatë një emisioni televiziv të enjten në mbrëmje, u shpreh se "lançimi i kësaj qendre të re është pjesë e revolucionit fiskal që ka ndërmarrë qeveria demokratike për të mbështetur zhvillimin e biznesit vendas dhe të huaj në Shqipëri". "Ne e kemi nxjerrë Shqipërinë në treg për vlerat e saj dhe kemi ecur shumë shpejt", - tha Bode, duke shtuar se "ne do ta bëjmë Shqipërinë të suksesshme, edhe për konkurrueshmërinë e biznesit, ashtu siç u shpall nga institucionet ndërkombëtare, për klimën e biznesit". Kreu i Financave theksoi se "biznesi është gjenerator i punësimit, të cilit ne sërish do t'i adresohemi. Ndaj motoja jonë është "hiqja barrën biznesit që ai të shpërthejë", dhe këtë ne do ta bëjmë".

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›