E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, do të rishikohet kontrata e furnizimit

12/05/2009  Kreu i ERE-s, Bujar Nepravishta, takon kreun e zyrës së Konsumatorëve

Kontrata e furnizimit me energji të konsumatorëve familjarë dhe jofamiljarë do të rishikohet. Pas privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kompania çeke do të sjellë propozimet e saj dhe do të jetë ERE-ja, institucioni përgjegjës për të vendosur standardet e cilësisë së shërbimit të furnizimit dhe të sigurisë për konsumatorët. Kjo ishte një nga temat për të cilat kanë diskutuar kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta dhe drejtori i zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Altin Goxhaj. “Standardet e cilësisë së shërbimit të propozuara nga kompania do të jenë pjesë përbërëse e kontratës së furnizimit me energji dhe do të përfshihen për t’u diskutuar në seancën e hapur dëgjimore që do të organizohet nga ERE-ja në vijim të procesit të rishikimit të kontratës proces në të cilin do të përfshihen të gjitha palët e interesuara dhe publiku i gjerë”, tha Nepravishta.

Problematika

Një prej çështjeve më të rëndësishme në takim ishte diskutimi për nivelin e humbjeve të energjisë në rrjet, sidomos vjedhjeve nga ana e konsumatorëve të papërgjegjshëm. ERE kërkoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe shoqatave të konsumatorëve për të ndërgjegjësuar opinionin publik në lidhje me pagimin e faturave të konsumit të energjisë. “Vetëm kështu ulet kostoja e energjisë”, - theksoi Nepravishta. Sipas tij, institucioni i ERE-s do të mbetet i hapur për të analizuar me përgjegjësi çdo propozim të ri, i cili mund të sjellë impakt të ndjeshëm në sektori e energjisë elektrike, si dhe të mbrojë ashtu siç e kërkon ligji interesat e konsumatorit të energjisë elektrike.

Organizimi

Kreu i ERE-s bëri një prezantim të situatës në sektorin e energjisë elektrike duke paraqitur të dhëna për prodhimin, importin dhe tregues të tjerë të performancës së OSSH-së. Gjithashtu ai bëri një analizë të procesit të miratimit të çmimeve për viti 2010. Nëse do të ketë rritje të çmimeve për vitin e ardhshëm dhe sa do të jetë kjo rritje vetëm Enti Rregullator i Energjisë mund të vendosë, pas propozimeve që do të sjellë kompania private që ka privatizuar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Aktualisht është diskutuar për një rritje deri në 10 për qind të çmimit të energjisë elektrike, por OSSH-ja ka afat deri në gusht të këtij viti për të çuar propozimin zyrtar në ERE.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›