E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikonfigurimet e fundit të aleancave ngatërrojnë KQZ-në

12/05/2009  Shtyhet udhëzimi për përcaktimin e anëtarëve të GNV-ve

Aleanca Demokratike dhe Partia Demokristiane rrezikojnë të humbasin mundësinë për të pasur një anëtar në grupet e numërimit të votave. Shkak për këtë është debati mes anëtarëve të Komisionit Qendror në Zgjedhjeve lidhur me projektudhëzimin e administratës, që detajon hedhjen e shortit mes partive të vogla të shumicës dhe atyre të opozitës për përcaktimin e anëtarit të tretë dhe të katërt të GNV-ve. Ky udhëzim merr në konsideratë respektimin e Kodit Zgjedhor dhe rezultatet e Kuvendit të Shqipërisë referuar zgjedhjeve të fundit parlamentare: atyre të 3 korrikut 2005. Në atë kohë partia e Neritan Cekës ishte e pozicionuar majtas, ndryshe nga sot që ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me të djathtën. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me demokristianin Ndoka, i cili në vitin 2005 ishte pozicionuar në krah të PD-së, ndërsa sot është parti e pavarur. KQZ-ja me 6 vota “pro” dhe një “kundër” ka shtyrë debatin për këtë projekt deri në marrjen e një informacioni të detajuar nga Kuvendi.

Debatet

Aleancat e reja elektorale, të ndryshme nga ato të kompozuara në zgjedhjet e fundit parlamentare, kanë përfshirë në debate Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë diskutimit të udhëzimit për caktimin e partive politike të cilave u lind e drejta të marrin pjesë në shortin për anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave. Kërkesa për shtyrjen e miratimit të këtij udhëzimi erdhi fillimisht nga përfaqësuesit e PS-së në komision dhe gjeti mbështetjen edhe nga anëtarë të mazhorancës. Konkretisht përfaqësuesi i PS-së në KQZ Genc Gjonçaj kundërshtoi projektudhëzimin dhe kërkoi shtyrjen e shqyrtimit, me pretendimin se PAD-ja dhe PDK-ja nuk mund të rreshtohen në bllokun e partive të pakicës parlamentare. “Këto dy parti njihen si parti të aleancave qeverisëse dhe parlamentare”, - tha ai. Diskutimin e tij e mbështeti edhe nënkryetarja Dëshira Subashi. “Përcaktimi i shumicës dhe pakicës parlamentare nuk duhet të mbështetet në zgjedhjet e 2005-s, por në aleancat aktuale”, - tha ajo.

Udhëzimi

Ai ka për qëllim të përcaktojë procedurat e organizimit të shortit për caktimin e partive të cilave u lind e drejta të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave për çdo ZAZ. Sipas tij, partitë pjesëmarrëse në short janë të gjitha partitë parlamentare që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin e Shqipërisë kanë fituar jo më pak se dy mandate dhe janë regjistruar në KQZ për Zgjedhjet për Kuvend të datës 28 qershor 2009. Nga ky short përjashtohen partitë që u ka lindur e drejta të propozojnë kryetarin dhe zëvendëskryetarin e KZAZ-ve, respektivisht partia më e madhe e shumicës parlamentare dhe partia më e madhe e opozitës parlamentare. Shortin e hedh KQZ-ja për çdo ZAZ dhe merr vendim për caktimin e partive që u lind e drejta të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të GNV-ve në ZAZ-në përkatëse. Përcaktimi i dalë nga shorti ka efekt për të gjitha grupet e numërimit brenda ZAZ-së përkatëse.

Neni 95

“Grupet e numërimit të votave përbëhen nga katër anëtarë, ku në çdo rast një anëtar emërohet pas propozimit të partisë politike së cilës i përket kryetari i KZAZ-së, një anëtar pas propozimit të partisë që i përket nënkryetari, ndërsa anëtari i tretë propozohet nga partitë e shumicës qeverisëse dhe anëtari i katërt emërohet pas propozimit të partive të opozitës që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të grupet e numërimit të votave për ZAZ-të respektive, sipas procedurës së parashikuar në nenin 96 të këtij kodi.”

Neni 96

“Partitë politike që kanë të drejtë të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të grupit të numërimit të votave përcaktohen pas hedhjes së shortit në KQZ ndërmjet listës së partive politike të shumicës parlamentare dhe listës së partive të opozitës parlamentare të regjistruara në zgjedhje dhe që kanë fituar jo më pak se dy mandate në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin e Shqipërisë. Në çdo rast, pas hedhjes së shortit për çdo ZAZ të drejtën e propozimit për dy anëtarë të grupit të numërimit të votave e ka një parti e shumicës parlamentare dhe një parti e opozitës parlamentare.”

KQZ kallëzim penal për 135 vendorë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar krerët e pushtetit vendorë që nuk kanë depozituar në KQZ informacionin lidhur me listat e zgjedhësve se do t’i dërgojë emrat e tyre për ndjekje penale. Nga 383 krerë vendorë që janë gjithsej në Republikën e Shqipërisë, apeli shkon për 135 kryetarë komunash dhe bashkish, mbi të cilët mund të rëndojë akuza e shpërdorimit të detyrës. Afati për dorëzimin e listave përfundimtare në KQZ ka dy ditë që ka përfunduar, ndërkohë që këta nuk kanë depozituar as listat paraprake. “Nga 383 njësi të qeverisjes vendore 135 nuk i kanë prurë akoma të dhënat që do të përmbanin numrin e zgjedhësve për qendrat e votimit, numrin e qendrave të votimit dhe numërtimin e tyre, duke shkelur ligjin dhe udhëzimin e KQZ-së. Në zbatim të ligjit, do të thërrasë një mbledhje tjetër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë masa administrative dhe për të parë mundësinë e një kallëzimi penal, sepse mund të ketë edhe elemente të shpërdorimit të detyrës”, - deklaroi kreu i KQZ-së Arben Ristani. Rasti tjetër i denoncimi nga KQZ-ja të mosrespektimit të afateve ishte konstituimi i KZAZ-ve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›