E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Administrative, sot vendimi

11/05/2009  Konfindustria kërkon konsensusin e partive politike për miratim në seancën e fundit plenare

Buxhuku: Deputetët të votojnë për t’i dhënë vendit një institucion të munguar

Konfindustria kërkoi dje miratimin e projektligjit për Gjykatat Administrative nga Parlamenti. Gjergj Buxhuku, administratori i përgjithshëm i këtij grupimi ekonomik, në cilësinë e nismëtarit të krijimit të Gjykatave Administrative, u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, që të votojnë pro projektligjit në frymë gjithëpranimi. Seanca plenare e datës 11 maj, është mundësia e vetme për të kaluar këtë draft që ka kaluar hallkat e tjera të shqyrtimit dhe diskutimit. “Projektligji, i cili është profesionalisht i mirëpunuar me këshillim të ekspertëve të institucioneve më të njohura ndërkombëtare të fushës, përmbush interesat themelore të biznesit, sikundër është me vlerë edhe për gjithë qytetarët shqiptarë, që do të përfitojnë drejtpërdrejt në shumë drejtime nga institucioni i Gjykatës Administrative”, - theksoi Buxhuku. Konfindustria vlerësoi se krijimi i Gjykatave Administrative është një hap thellësisht me pasoja pozitive afatgjata. “Ato do t’i japin vendit një institucion të munguar dhe të domosdoshëm për sistemin e drejtësisë, sipas përvojës së vendeve të zhvilluara dhe demokratike, duke qenë edhe një nga mjetet më të dobishme për përmirësimin e klimës së mirëbesimit biznes-shtet si domosdoshmëri, sidomos në kushtet e krizës globale financiare me pasoja të pashmangshme edhe në ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptare”, - tha Buxhuku. Konfindustria po zhvillon takime me të gjitha forcat politike të vendit duke kërkuar miratimin me konsensus nga të gjithë deputetët. Në këtë kuadër z. Buxhuku është takuar me drejtuesin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, i cili tregoi gatishmërinë dhe vullnetin e forcës politike që ai drejton për krijimin sa më shpejt të Gjykatave Administrative si kusht për krijimin e një klime biznesi sa më të favorshme në vend, si dhe vlerësoi kontributin e ekspertëve dhe institucioneve ndërkombëtare në këtë drejtim. Projektligji “Për Gjykatat Administrative”, një nga më të rëndësishmit e reformës në drejtësi, u miratua në Komisionin e Ligjeve më 22 prill, ndërkohë që i është përcjellë Parlamentit për miratim. Ndërkaq, Konfindustria vuri në dukje se krijimi i Gjykatave Administrative është një çështje parësore për biznesin shqiptar, zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›