Haxhinasto në Japoni: Të hiqen vizat mes dy vendeve
TIRANË Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, gjatë takimeve zyrtare në Japoni ka diskutuar për bashkëpunimin ekonomik, heqjen e vizave, dhe hapjen e ambasadës japoneze në Tiranë. Haxhinasto nisi turin e vizitave të tij zyrtare në Azi, ku vendqëndrimi i parë ishte Japonia. Gjatë vizitës në Japoni, ministri Haxhinasto u prit në një takim të veçantë nga ministri Japonez i Punëve të Jashtme, Koichiro Gemba. Gjatë takimit ministri Haxhinasto tha se ka ardhur koha që programet e asistencës dhe ndihmës të konkludohen dhe të kalohet në një fazë të re të investimeve direkte japoneze në ekonominë shqiptare. Ai nënvizoi përparësitë që ofron Shqipëria për investimet japoneze, si një vend me kontribute për paqen dhe stabilitetin në rajon. Një nga objektivat parësore të politikës së jashtme shqiptare, tha Haxhinasto, mbetet lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë, si dhe e të huajve në vendin tonë. Në këtë kuadër, ministri Haxhinasto tha se është koha që të hiqen vizat për shtetasit shqiptarë për të vizituar Japoninë, duke shtuar se heqja e vizave do të sjellë më afër dy popujt tanë, si dhe do të krijojë mundësi të mëdha bashkëpunimi për komunitetet e biznesit të të dy vendeve. Nga ana e tij ministri japonez tha se duhet të punohet bashkërisht për të realizuar heqjen e vizave. Si hap të parë, tha ai, mund të realizojmë së shpejti dhënien e vizave me afate të gjata dhe me shumë hyrje-dalje, dhe si hap i dytë, do të jetë heqja e plotë e vizave. Më tej, Haxhinasto theksoi se forcimit të bashkëpunimit dypalësh në përgjithësi, dhe atij ekonomik dhe në fushën e turizmit në veçanti, do t’i shërbente hapja e ambasadës në Tiranë. Duke ndarë të njëjtin mendim, ministri i Jashtëm japonez u shpreh se po konsiderohet seriozisht hapja e ambasadës japoneze në Tiranë. Po dje, Haxhinasto është takuar edhe me deputetë të Parlamentit japonez.