E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia elektrike vijon të fryjë eksportet

Statistikat

Eksportet e Shqipërisë u rritën me 47 për qind gjatë periudhës janar-prill të këtij viti, ndërkohë që importet ishin në të njëjtin nivel me një vit më parë. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e tregtisë së jashtme të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Shqipëria eksportoi 345 milionë euro mallra në këtë periudhë nga vetëm 235 milionë eurot e eksportuara në janar-prill 2009. Marsi është muaji më i mirë për eksportet i regjistruar ndonjëherë me më shumë se 104 milionë euro mallra të shitura. Italia mbetet blerësi kryesor i eksporteve tona, duke zënë 52 për qind të totalit. Gjatë katërmujorit, Italia bleu 185 milionë euro mallra nga Shqipëria me rritje 20 për qind në krahasim me një vit më parë.
Eksportet shqiptare gjatë këtij viti janë rritur veçanërisht si pasojë e reshjeve të bollshme, të cilat kanë shumëfishuar prodhimin e energjisë elektrike në kaskadën e Drinit. Ekspertët i klasifikojnë fenomene të tilla si “fitime ose humbje të jashtëzakonshme” dhe nuk i marrin parasysh në vlerësimin e ecurisë së përgjithshme të ekonomisë. Segmenti tjetër i rëndësishëm, eksportet e veshjeve dhe këpucëve, të cilat u prekën rëndë nga kriza e vitit të kaluar, kanë filluar të rigjallërohen gjatë muajve të fundit. Por eksportet e këtij segmenti janë ende më të ulëta nga sa ishin në vitin 2008, pra para fillimit të krizës ekonomike dhe financiare botërore.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›