E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: Duhet të bindni 27 vendet e BE-së

Kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmuth Lohan, duke u prononcuar menjëherë pas vendimit të Brukselit, vlerësoi rekomandimin e Komisionit për liberalizimin e vizave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, si një rezultat i plotësimit të pjesës më të madhe të kërkesave për këtë qëllim nga pala shqiptare. Ai theksoi se vendimi që do të merret, do të jetë politik, që e ka në dorë vetë Shqipëria. “Tanimë varet nga Shqipëria që të plotësojë kërkesat ende të paplotësuara. Rekomandimi ka mbërritur tani në Këshillin e Ministrave dhe në Parlamentin Europian. Vendimi për propozimin e KE-së do të merret, siç thuhet në gjuhën europiane, si një vendim i përbashkët politik”, theksoi Lohan dje në një konferencë të mbajtur në qendrën e informacionit të BE-së në Tiranë. Lidhur me njërin nga kriteret që duhet të plotësojë Shqipëria, atë të zbatimit të ligjit për konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar, ambasadori Lohan tha se për qytetarët e Bashkimit Europian, është e rëndësishme të dinë se krimi nuk do të eksportohet jashtë Shqipërisë. Në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, objektivi politik për udhëtim pa viza u vendos në Këshillin Europian në Selanik, në vitin 2003. Si një hap i parë drejt udhëtimit pa viza, Komuniteti i atëhershëm Europian bëri marrëveshje lehtësimi për vizat dhe marrëveshje ripranimi me Bosnjë-Hercegovinën, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi, Serbinë dhe Shqipërinë. Marrëveshjet hynë në fuqi në janar 2008 (Marrëveshja e Ripranimit me Shqipërinë hyri në fuqi që në maj 2006).

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›