Kriza ekonomike, ILO: Pas dy vitesh ristrukturoni pagat
Përfaqësuesi i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Mark Levin, paralajmëron qeverinë të marrë masa sa më shpejt, që niveli i punësimit dhe i pagave të kthehet në nivelin e duhur
Kriza ekonomike ka prekur edhe të ardhurat e familjeve shqiptare, ndaj qeveria duhet të marrë masa për të përmirësuar dëmet e shkaktuara, që parashikohet të jenë në rritje. Ky është rekomandimi që jep zyrtari i lartë i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Mark Levin, i cili tha se pas dy vitesh do të jetë i domosdoshëm ristrukturimi i pagave, për të rikuperuar dëmet e shkaktuara nga kriza. “Kjo është periudha më e keqe ekonomike që nga viti 1930, pasi edhe në vendet ku ka rritje ekonomike është vërejtur zhvlerësim i pagave. Shkalla e ristrukturimit të pagave do të jetë e nevojshme pas dy vitesh, për të rikuperuar dëmet e shkaktuara nga kriza”, - deklaroi Levin. Sipas tij, edhe pse Shqipëria u prek pak më vonë prej ndikimit të krizës ekonomike në rajon, kjo ka shkaktuar ulje të numrit të të punësuarve dhe të pagave. Për këtë arsye, Mark Levin deklaron se është shumë e rëndësishme që niveli i punësimit dhe pagave të kthehet në nivelin e duhur dhe të mbrohen qytetarët nga shfrytëzimi në këtë moment krize. “Shqipëria, edhe pse më vonë se vendet e tjera, u prek prej ndikimit të krizës ekonomike të eurozonës. Kjo ka efekte negative dhe niveli i punësimit, por edhe i pagave, ka rënë ndjeshëm në disa vende të rajonit. Gjithashtu i rëndësishëm në këtë moment është fakti që të mbrohen punonjësit nga shfrytëzimi apo realizimi i një pune të padenjë. Kthimi i punësimit në nivelin e duhur është i rëndësishëm, pasi kjo shkakton mjaft trazira sociale. Sipas të dhënave, trazirat në shumë aspekte janë shtuar dhe kjo ka ardhur prej krizës ekonomike. Këto janë paralajmërime dhe është e rëndësishme që të merren masa sa më shpejt”, - theksoi Levin.
Këto deklarata, përfaqësuesi i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) i bëri dje gjatë konferencës “Politikat e pagave dhe diferencat gjinore në Shqipëri”. Pas propozimit të zyrtarit të ILO-s, se duhet bërë ristrukturimi i pagave, ministri i Punës, Spiro Ksera, tha se institucioni që ai drejton do të ketë si prioritet politikën e rritjes së pagave, e cila do të vazhdojë. Ministri i Punës ka siguruar se rritja e pagave me prioritet ato të ulëtat do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, kurse paga minimale parashikohet të rritet çdo vit me ritme më të larta se indeksi vjetor i inflacionit. Konferenca dyditore ka mbledhur në një tryezë të përbashkët përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e politikave të pagave në Shqipëri, ekspertë vendës dhe të huaj në fushën e pagave, përfaqësuesit më të lartë të punëdhënësve dhe punëmarrësve, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në vend etj. Konferenca do të vazhdojë punimet deri ditën e premte dhe pritet që në mbyllje të saj të dilet me konkluzione konkrete dhe propozime për institucionet politikëbërëse në Shqipëri, për ndërmarrjen e politikave që garantojnë pagesë të drejtë për punë të barabartë, që nxisin zhvillimin ekonomik të vendit dhe, njëkohësisht, mbrojnë nivelin ekonomik të punëmarrësve. Një nga problemet e shumta të administratës publike shqiptare është niveli i ulët i pagave. Ristrukturimi i pagave ka për synim zbutjen e diferencave ndërmjet pagave të sistemit privat dhe atij shtetëror, përmirësimin e cilësisë së punës si dhe mbajtjen e pranimin e personelit të kualifikuar në sektorët prioritarë të administratës publike.