E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia nukleare, Italia dhe Shqipëri ende asnjë marrëveshje



“Italia ka nevojë për energji dhe kryeministri Sali Berisha është shprehur se do të zhvillojë energjinë nukleare, por midis dy shteteve nuk ka asnjë marrëveshje konkrete”. Kështu ka deklaruar ambasadori Italian në Shqipëri, Saba D’Elia, paraditen e djeshme, gjatë prezantimit të investimeve të Kooperacinit Italian për Zhvillim. “Ka një interesim nga ana e kryeministrit Berisha, që është shprehur për zhvillim e kësaj lloj energjie dhe dihet që Italia ka nevojë për energji. Interesimi është i dyanshëm, por ende nuk ka asnjë marrëveshje konkrete midis dy vendeve, nuk as ka kontakte ku të flitet për projekte konkrete”,- deklaroi diplomati italian në Shqipëri, D’Elia. Kreu i diplomacisë italiane në Shqipëri ka zbuluar gjithashtu edhe qëllimin e vizitës së kryeministrit italian, Silvio Berluskoni. Sipas tij, “Berluskoni do të diskutojë me krerët e shtetit shqiptar për bashkëpunimin midis dy vendeve në të gjitha fushat. Do të flitet për bashkëpunimin politik dhe mbështetjen që ka dhënë Italia në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Gjithashtu do të flitet për kontributet e mira të shqiptarëve, të cilët punojnë në Itali”. D’Elia ka theksuar gjithashtu në fjalën e tij se, investimet italiane do të vazhdojnë në sektorët strategjik, pasi Shqipëria po përballet me sfidat e zhvillimit.
“Italia ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë. Momentet e vështira tashmë kanë kaluar dhe vendi po përballet me sfidat e zhvillimit dhe rritjes. Kooperacioni Italian për Zhvillim është i pranishëm në sektorët strategjikë dhe prioritarë të vendit, investimet tona janë të dukshme në të gjithë Shqipërinë”, - përfundoi Saba D’Elia.

21 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›