E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kategoritë e punonjësve të administratës që përjashtohen nga kompensimi



Qeveria ka vendosur të lërë pa kompensim për energjinë elektrike punonjësit e institucioneve shtetërore, pas rritjes së çmimit të saj. Këshilli i Ministrave ka hartuar një projektvendim për rishikimin e fondit të kompensimit për të mbrojtur shtresat në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Paratë që do të përfitonin një pjesë e institucioneve shtetërore nga ky projektvendim nuk do t’u shpërndahen duke lënë të pandryshuar shumën si këtë vit. Të favorizuar nga kjo skemë subvencionuese deri tani ishin punonjësit e Arsimit, të Shëndetësisë, ushtarakët dhe të tjera institucione shtetërore, të cilat kanë edhe pagat më të ulëta. Të gjithë punonjësit buxhetorë me pagë bruto nën 35 mijë lekë, ishin përfitues të skemës kompensuese për rritjen e çmimit të energjisë. Vetëm Ministria e Arsimit përfitonte nga kjo skemë rreth 70 milionë lekë në vit, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë përfitonte 19.6 milionë lekë. Po një shumë të konsiderueshme përfitonte edhe Ministria e Mbrojtjes për ushtarakët, ndërkohë që nga skema përfitonin edhe institucione të tjera, duke nisur që nga administrata e Kuvendit, deri tek ai i Presidencës, duke përfituar respektivisht 48 000 dhe 24 000 lekë. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta si dhe Ministria e Financave ishin institucionet që administruan këtë fond të kompensimit për shtresat në nevojë.

Sa përfitonin nga kompensimi i energjisë rrogëtarët e shtetit

Përveç rritjes së pagave, buxhetorët përfituan në pagën e këtij viti edhe nga 500 lekë shtesë mbi pagën për kompensimin e energjisë elektrike, i cili nisi të shpërndahej që nga 1 korriku 2008. Kjo shtesë në pagat e buxhetorëve ishte për ata punonjës të administratës shtetërore, të cilët kishin të ardhura mujore nën 35 000 lekë. Fondi që iu akordua ministrive kapte vlerën e 110 458 500 lekëve dhe iu shpërnda 21 ministrive dhe institucioneve qendrore. Por për vitin që vjen të gjitha institucionet shtetërore punonjësit e të cilave përfitonin këtë “privilegj mbijetese” do t’u hiqet e drejta pasi sipas Ministrisë së Financave, ato do të preken nga skema për rritjen e pagave. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Financave kanë shpjeguar për gazetën se, “kompensimi për buxhetorët, i cili ishte parashikuar të niste që muajin janar 2008, hasi në vonesa prej vetë ministrive dhe institucioneve qendrore, pasi nuk kishin paraqitur kërkesat, nga ku do të përcaktoheshin fondet”. Pavarësisht se rritja e çmimit të energjisë elektrike ishte këtë vit në masën 20 për qind për konsumatorët familjarë, qeveria nuk rriti në masën e duhur kompensimin. Por, megjithëse këtë vit buxhetorët përfituan diçka nga kompensimi për energjinë, vitin e ardhshëm ata nuk do ta kenë më këtë mundësi, me gjithë rritjen që duket se do të vijojë.

Institucionet, nëpunësit e të cilave nuk do të përfitojnë më nga fondi i kompensimit
për çmimin e energjisë

1. Presidenca
2. Kuvendi
3. Ministria e Ekonomisë
4. Ministria e Bujqësisë
5. Ministria e Transporteve
6. Ministria e Arsimit
7. Ministria e Kulturës
8. Ministria e Shëndetësisë
9. Ministria e Brendshme
10. Ministria e Mbrojtjes
11. Shërbimi Informativ Shtetëror
12. Ministria e Mjedisit
13. Prokuroria e Përgjithshme
14. Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor
15. Gjykata Kushtetuese
16. Agjencia Telegrafike Shqiptare
17. Shkolla e Magjistraturës
18. Komisioni i Shërbimit Civil
19. ILDKP
20. Autoriteti i Konkurrencës
21. Ministria e Integrimit

21 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›