E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i energjisë, qeveria përjashton buxhetorët nga kompensimi për 2009-n

Në buxhetin e ri nuk është llogaritur fondi për buxhetorët. Kompensimi vetëm për shtresat më të varfra të shoqërisë

Ervin Koçi

Vitin që vjen (2009) qeveria do t’i “surprizojë” me dy zhvillime qytetarët shqiptarë. E para është rritja e re e çmimit të energjisë, që sipas të gjitha gjasave pritet të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, menjëherë sapo të zhvillohen edhe tenderat për blerjen e energjisë së re nga importi. Surpriza e dytë do të jetë për të gjithë buxhetorët (punonjësit e administratës së lartë shtetërore dhe asaj publike), të cilët, me gjithë rritjen e kostos së energjisë, e për pasojë edhe të jetesës, nuk do të kompensohen me para mbi pagën për energjinë, ashtu si këtë vit. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se “skema e kompensimit për të gjitha kategoritë e buxhetorëve do të jetë po ajo e këtij viti dhe nuk do të ketë ndryshime”. Sipas burimeve, kjo gjë ka lidhje me buxhetin e cunguar të vitit të ardhshëm, i cili është një buxhet ndër të tjera edhe elektoral, dhe në pjesën më të madhe të tij është parashikuar për investimet publike (mbi 80 për qind). Nisur nga kjo del se pjesa më e madhe e kategorive të shtresave sociale që përfitonin kompensimin e energjisë së bashku me pagën, do të përjashtohen vitin e ardhshëm, të paktën deri në miratimin e buxhetit suplementar, i cili mund të krijojë hapësira për shtesat dhe kompensimet mbi pagën. Të “privilegjuara” do të mbeten vetëm shtresat sociale më të “këputura”, siç janë pensionistët, jetimët, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, si dhe disa kategori që përfitojnë nga skema e përkrahjes sociale, e cila edhe kjo do të kufizohet mjaft vitin që vjen.

Zhduket kompensimi

Në tabelat e Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2009, shifra e fondit, parashikuar nga qeveria për kompensimin e shtresave në nevojë për shpenzimet e rritura për energjinë elektrike është zero. Ndryshe nga vitet e fundit, duke përfshirë edhe vitin në të cilin ndodhemi, ku ishin parashikuar për këtë qëllim 1.4 miliardë lekë si fond kompensimi, vitin e ardhshëm ky opsion nuk do të ekzistojë më. Aq e vendosur duket qeveria shqiptare për ta eliminuar këtë “barrë të tepërt”, sa ka shkuar edhe në kundërshtim nga sa kanë sugjeruar vazhdimisht ekspertët e FMN-së, sipas të cilëve “tarifat duhen rritur për të ndjekur çmimet ndërkombëtare, por duke ndihmuar shtresat me të ardhura më të pakta”. Lidhur me këtë problem, kryeministri Berisha, dy ditë më parë deklaroi publikisht se “qeveria është e vendosur të ndihmojë shtresat më të varfra të popullsisë, por kjo do të bëhet duke rritur pagat dhe pensionet, jo duke shtuar fondet për kompensime”. Pra, në opsionin e kryeministrit “rritje e pagave dhe e pensioneve” është “eliminuar” fondi i konsiderueshëm që jepej nga shteti për kompensimin e energjisë deri tani. Edhe pse qeveria synon që këtë fond ta shkrijë për të krijuar përshtypjen e një rritjeje më të madhe nominale të pagës apo të pensionit, këto të fundit zhvlerësohen nga tarifat më të larta të energjisë, që do të rriten më tej vitin e ardhshëm, si dhe nga shtrenjtimi i një morie produktesh dhe shërbimesh që do të shtrenjtohen si pasojë e lidhjes që kanë me këtë shtrenjtim.

Rritja e pashmangshme

Shqiptarët do të hasen sërish me një rritje të tarifave të energjisë elektrike, e parashikuar të kryhet gradualisht në pesë vitet e ardhshme. Vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ka përsëritur planin për vitin e ardhshëm të rritjes së tarifave të çmimit të energjisë, duke e lidhur me faktin se nivelet aktuale të çmimit të këtij malli nuk përputhen me koston e tij. Deklaratën tronditëse për shqiptarët në nevojë, kreu i METE-s, Ruli, e ka bërë tri ditë më parë, gjatë punimeve të Forumit të parë të Çështjeve Sociale në kuadër të Traktatit të Komitetit të Energjisë. Duke folur për problemet energjetike të vendit, ministri Ruli deklaroi se Shqipëria vazhdon të ketë probleme në furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve. “Mungesa e burimeve primare të energjisë, e burimeve dhe rrjeteve të gazit, kapacitete të kufizuara në prodhimin e energjisë elektrike dhe në lidhjet ndërsistemore, si dhe varësia e plotë e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike, janë vetëm disa nga vështirësitë me të cilat ne po ballafaqohemi”, - tha ministri i Energjetikës. Ai ka pranuar, në këtë mënyrë, dështimin e politikave qeveritare në këtë drejtim. Në negociatat me kompaninë çeke "ÇEZ", për hartimin e kontratës së privatizimit është bërë edhe çmimi i energjisë elektrike, ku kompania private anon nga kahu i rritjes së tarifave. Por, sipas ministrit Ruli, “nëse kompania ‘ÇEZ’ arrin të përmirësojë dukshëm nivelin e humbjeve në rrjet, OSSH-ja nuk do ta shohë të arsyeshme rritjen e çmimit, kjo të paktën për 2009-n”. Megjithatë, ministri Ruli tha hapur se rritja e tarifave është e pashmangshme, për aq kohë sa energjia elektrike ofrohet me një tarifë nën kosto.

21 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›