E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çau dy postblloqe policie, kapet të nesërmen beratasi

Një 24-vjeçar nga fshati
Poshnjë i Rrethit të Beratit
ka rënë në prangat e
policisë, pasi ka çarë me forcë dy
postblloqe policie, duke rrezikuar
edhe jetën e policëve. Ai ishte
duke udhëtuar me automjetin
e tij dhe nuk i ka ndaluar një
postblloku policor. E sikur të mos
mjaftonte kjo, i riu rrezikoi jetën
e më shumë se tre efektivëve të
policisë, që i kishin zënë pritë në
një postbllok të dytë. Arrestimi i
24-vjeçarit nga Berati u bë rreth
16 orë pas ngjarjes dhe për prangosjen
e tij u organizua Policia e
Fierit, Beratit, Lushnjës, si dhe
efektivë të Policisë së Kavajës.
Gjithçka ka nisur mesnatën e
së mërkurës në rrugën Berat-Kavajë,
pak metra pas kapërcimit të
rreth-rrotullimit të Rrogozhinës.
Plarent Tafa, 24 vjeç, lindur
e banues në fshatin Poshnjë të
Beratit ka qenë duke udhëtuar
nga Kavaja në drejtim të Beratit
me automjetin e tij tip "Mercedez
Benz", me targa BR0309B
Në afërsi të rreth-rrotullimit të
Rrogozhinës, uniformat blu të
Policisë së Kavajës, edhe pse
ishte natë, duke parë shpejtësinë
e madhe me të cilën udhëtonte
Tafa i kanë ngritur tabelën që ai
të ndalonte. Mësohet se Tafa nuk
ka ndaluar dhe ka shtuar shpejtësinë,
duke çarë postbllokun policor.
Menjëherë policët e Kavajës
kanë lajmëruar kolegët e tyre të
Lushnjës. Në rreth-rrotullimin
e Çermës, përgjatë autostradës
Rrogozhinë-Lushnjë, postblloku
i radhës policor i bën pritë mjetit
të drejtuar nga Plarent Tafa. Por
ai, jo vetëm që nuk ka ndaluar,
por e ka ngarë makinën me aq
shpejtësi sa ka mundur të çajë
edhe grupin prej pesë policësh.
Ata janë hedhur disa metra më
tej, duke u mbrojtur nga goditja
e mjetit dhe disa prej tyre kanë
marrë plagë të lehta.
Të dyja postblloqet policore
kanë mundur që të sigurojnë
vetëm të dhënat e makinës që
drejtohej nga Tafa. Më pas, është
bërë njoftimi i Policisë së Beratit,
e cila në bashkëpunim me
Policinë Kriminale të Drejtorisë
së Fierit ka bërë të mundur arrestimin
e Plarent Tafës, dje, rreth
orës 16:00. Prangosja e 24-vjeçarit
është realizuar në banesën e tij,
në fshatin Poshnjë, ku mësohet të
ketë rezistuar sërish ndaj policisë.
Pas arrestimit, ai është shoqëruar
në mjediset e paraburgimit në
Fier, ku dhe i është komunikuar
akuza e "kundërshtimit të punonjësit
të policisë" parashikuar
nga neni 236/2.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›