Evropa tronditet nga rënia më e madhe ekonomike
Ekonomitë e vendeve evropiane kanë shënuar rënie tronditëse gjatë tremujorit të fundvitit të shkuar, madje disa prej tyre kanë regjistruar statistikat më negative për dhjetëvjeçarët e fundit. Shifrat kanë tronditur krerët financiarë të shteteve të fuqishme evropiane, të cilët po e shohin gjendjen më keq sesa e kishin parashikuar. Ekonomia e eurozonës shënoi rënie me 1.5 për qind në tremujorin e mëparshëm dhe me 1.2 për qind gjatë gjithë vitit, sipas të dhënave të Eurostat-it. Statistikat e fundit nga Gjermania demonstrojnë se ekonomia më e madhe e Evropës ka shënuar rënie me 2.1 për qind gjatë tri muajve të fundit të 2008-ës. Të dhënat fillestare tregojnë se ekonomia e Francës shënoi rënie me 1.2 për qind, ndërsa në Itali, rënia është shënuar me 1.8 për qind, më e madhja që nga viti 1980. sipas BBC, statistikat shtojnë presionin mbi Bankën Qendrore Evropiane që të ulë edhe më tej normat e interesit. Gjatë gjithë 2008-ës, ekonomia në të 15 vendet që përdorin euron u rrit me 0.7 për qind krahasuar me një vit më parë sipas Eurostat-it. Sllovakia iu bashkua eurozonës në 1 janar 2009. Kompanitë kanë zvogëluar investimet dhe eksportet kanë rënë. Por të dhënat zyrtare tregojnë se rënia është më dramatike në Gjermani, më e madhja që nga ribashkimi në vitin 1990. Qeveria gjermane thotë se shkak për këtë është rënia e kërkesës për eksporte në situatën e rëndë ekonomike globale. Gjatë tre muajve të fundit të vitit të shkuar ekonomia më e madhe e Evropës shënoi rënie me 2.1 për qind. Gjermania mbështetet shumë tek eksportet, por për shkak të recesionit, tani ka më pak klientë për makinat gjermane, kimikate dhe pajisje teknike. Me rënien e kërkesës është ulur prodhimi e bashkë me të dhe investimet. Kjo do të thotë se Gjermania përballet me mundësinë e recesionit më të vështirë të 60 viteve të fundit. Qeveria ka hartuar një paketë të dytë stimuli për ekonominë në vlerë rreth 64 miliardë dollarë. Sipas liderëve të Ballkanit, kriza nuk i ka prekur ekonomitë e tyre. Megjithatë, shpresa se rajoni i varfër do të kalojë pa u cenuar nga stuhia që po cek Evropën dhe të gjithë botën është pothuajse inekzistente.