Thaçi: Jemi krenarë për shtetin e ri, na presin festime dinjitoze
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, siguroi se “viti i parë i shtetit ishte i suksesshëm dhe secili qytetar i Kosovës duhet të ndjehet krenar për atë që ka bërë për liri dhe shtet”. Sipas Thaçit, qeveria kosovare i ka marrë të gjitha masat, në mënyrë që ceremonia e festimeve të njëvjetorit të kalojë në mënyrë të qetë dhe dinjitoze. Kryeministri kosovar shtoi se “pretendimi për shantazh nga Beogradi do të jetë njëherë e përgjithmonë i dështuar”, pas thirrjeve të nacionalistëve serbë në Kosovë se më 17 shkurt do të djegin doganat dhe do të gjallërojnë aktivitetin e Parlamentit të tyre. Ndërsa Kosova po përgatitet të shënojë njëvjetorin e pavarësisë, shumë qytetarë serbë vazhdojnë të mos e njohin realitetin e krijuar pas 17 shkurtit. “Përderisa Serbia nuk e njeh, as ne nuk e njohim, sepse ky është territor i serbëve. Ne do të veprojmë siç na thotë Serbia”, shprehet një serb nga Graçanica. Që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, reagimi më i ashpër i serbëve ka qenë në veri të vendit. Grupe të serbëve atje kanë djegur dy pikat doganore në kufi me Serbinë, kanë penguar punën e gjykatave në veri të Mitrovicës dhe kanë forcuar strukturat e tyre paralele. Beogradi zyrtar vlerëson se pozita e pakicës serbe pas shpalljes së pavarësisë është rënduar.
Kështu deklaron zv/ministri për Kosovën në kabinetin serb, Bojan Angjeloviç. Megjithatë, deklarata e tij bie ndesh me politikanë të moderuar serbë. Sipas ligjeve në fuqi, pakicat e kanë të garantuar pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës. Nga 120 vende sa ka Parlamenti, 10 vende janë të rezervuara për serbët, ndërsa 10 të tjera për pakicat e tjera. Ndërkohë, në përbërjen aktuale të qeverisë së Kosovës, dy ministri udhëhiqen nga serbët, ndërsa një tjetër nga komuniteti turk. Me procesin e decentralizimit parashihet edhe formimi i disa komunave të reja me shumicë serbe.