E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specializimet e Mjekësisë, rezultatet e testit të provimeve për konkurrentët



Emanuela Sako

Fakulteti i Mjekësisë bën të ditur rezultatet e kandidatëve në provimin e dhënë tri ditë më parë, për specializimet në 30 degët përkatëse të Mjekësisë. Pritet që brenda një afati të shkurtër kohor, prej dy ditësh, të dalin rezultatet përfundimtare me emrat e fituesve. Gazeta “Albania”, publikon listën e plotë me emrat dhe rezultatet e konkurrentëve. Ndërsa, Fakulteti i Mjekësisë ka nxjerrë paraprakisht pikët e marra në provim, në mënyrë që t’iu lërë kohë studentëve të njihen dhe të ballafaqojnë testin e dhënë me përgjigjet e sakta. Për këtë, Dekanati ka afishuar dy lista me përgjigjet e sakta, për të siguruar transparencë me studentët fitues dhe ata që nuk do të mund të kualifikohen. Kandidatët duhet të fitojnë gjithsej 1 mijë pikë, nga të cilat 300 janë të notës mesatare të shkollës së lartë dhe 700 të tjera janë të konkursit. Teza e provimit përmbanin 70 pyetje, ndërsa provimi zgjati rreth 90 minuta. Vlerësimi është bërë për çdo përgjigje të saktë vlerësohet me një pikë, çdo përgjigje e gabuar ndëshkohet me -0.5 pikë dhe 0 pikë për çdo përgjigje "nuk e di".Specializimet për mjekët ishin ndërprerë prej 3 vitesh, duke krijuar një domosdoshmëri për specialistë në spitalet e vendit. Studentët e Mjekësisë iu nënshtruan këtij konkursi, sipas proceduarave dhe kritereve të përcaktuara nga Fakulteti i Mjekësisë. Kështu, studentët e Fakultetit të Mjekësisë, për të kryer një specializim, pasi mbarojnë studimet e sistemit 5 vjeçar, duhet të kryejnë një vit stazh pune. Pas kryerjes së një vitit stazh pune atyre iu jepet e drejta për të aplikuar për kryerjen e specializimit. Sipas Kartës së Bolonjës specializimet pasuniversitare zgjasin 3 deri në 4 vjet dhe quhen cikli i 3-të i studimeve. Gjatë kohës së specializimeve aplikantët vazhdojnë studimet kundrejt një pagese që vendoset nga qendrat spitalore të pranimit ku kryhet praktika apo mësimi. Pasi mbarojnë studimet e sistemit 5 vjeçar, studentët e mjekësisë mund të kryejnë dhe titullin Master edhe pse nuk mund të kenë kryer studimet afatgjata pasuniversitare. Konkursi për këtë vit zhvillohet në datën 14 korrik dhe për një afat të caktuar nga Fakulteti i Mjekësisë, priten rezultatet. Për pranimin e kandidatëve, Fakulteti i Mjekësisë ka përcaktuar kriteret dhe procedurat që i çon ata në konkurrim.

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›