E Diel, 1 Nëntor 2026

Engel: “Palët në Shqipëri ta zgjidhin vetë krizën politike”



Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ligjvënësi demokrat nga Nju Jorku, Eliot Engel, bashkëkryetar i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, bën thirrje që palët në Shqipëri ta zgjidhin vetë krizën politike. I pyetur se si e komenton situatën politike në Shqipëri, Engel shprehet se shqiptarët duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre dhe, sipas tij, Shqipëria, si një vend që kërkon të anëtarësohet në BE, duhet të ketë stabilitet. “Unë besoj se shqiptarët duhet ta zgjidhin vetë situatën e krijuar politike. Nuk besoj se amerikanët duhet t’u tregojnë shqiptarëve se çfarë të bëjnë. Zgjedhjet, siç dihet, përfunduan me rezultat të ngushtë. Shqipëria ka një sistem demokratik. Procesi demokratik funksionoi. Njera palë sot kundërshton dhe ndjehet se rezultati nuk ishte i drejtë, pala tjetër thotë se ka siguruar mandatin për të qeverisur. Por këtë duhet ta zgjidhin vetë shqiptarët, jo t’u thonë amerikanët si të veprojnë”, - është shprehur Engel.
Ai ka bërë thirrje që si një vend anëtar i NATO-s duhet që t’u jepet fund përplasjeve politike në Shqipëri. “Do të ishte më mirë mos të kishte përplasje të tillë publike, pasi pa dyshim, si një vend i ri anëtar i NATO-s dhe si një vend që kërkon të anëtarësohet në BE, do të ishte më mirë po të kishte stabilitet. Në Shtetet e Bashkuara ne e vendosim gjithçka përmes procesit kushtetues. Kjo duhet të ndodhë edhe me Shqipërinë. Kjo luftë publike nuk është e mirë për imazhin e Shqipërisë. Por përsëri unë nuk mund t’u them palëve çfarë të bëjnë. Ky nuk është roli im. Roli im është të siguroj sa më shumë ndihmë për Shqipërinë që të mundem, të bëj sa të mundem për të forcuar më tej marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, të siguroj fonde të qeverisë amerikane për Shqipërinë. Ky është roli im”, - është shprehur Engel. I pyetur për letrën që kongresisti Delahunt i dërgoi Berishës pak ditë më parë, ku i sugjeronte hapjen e kutive të votimit, Engel shprehet se ai nuk përfaqëson mendimin e qeverisë amerikane.
“Çdo ligjvënës mund të japë mendimin e tij. Ligjvënësi Delahunt po jepte mendimin e tij. Ai nuk flet në emër të qeverisë amerikane dhe nuk përfaqëson qëndrimin e qeverisë amerikane. Ai bëri të ditur qëndrimin e tij, por duhet të jetë e qartë se ai flet për veten e tij”, - është shprehur Engel.

8 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›