E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi Nano-Basha, Ish-kryetari i PS-së drekon me ministrin e Berishës



Në një kohë kur 22 deputetë të Partisë Socialiste ndodhen prej 8 ditësh në një grevë urie, ish-kryetari historik i PS-së, Fatos Nano, i kthyer nga Vjena, është parë të drekojë me ministrin e Brendshëm të kabinetit “Berisha”, Lulzim Basha. Ky është takimi i dytë mes ish-kryetarit të PS-së dhe ministrit Basha. Nuk bëhet e ditur tema e bisedimeve mes tyre, por momenti i zgjedhur për të drekuar bashkë duket se nuk është i përshtatshëm për një drejtues historik të Partisë Socialiste. Megjithëse Nano është shkëputur që prej vitit 2005 kur dha dorëheqjen si nga posti i kryeministrit, ashtu dhe nga posti i kryetarit të PS-së, pritej që të paktën të përshëndetej me kolegët e tij të partisë, të cilët gjenden të ngujuar në një grevë urie duke protestuar për transparencën e procesit zgjedhor.
Vetëm pak javë më parë, ish-kryetari i Partisë Socialiste darkoi në Vjenë me kryeministrin Berisha, pas ftesës së marrë prej këtij të fundit. Pas kthimit Berisha u shpreh se nuk mund të mos e takonte liderin historik të opozitës në një moment të rëndësishëm për vendin, siç ishte dorëzimi nga kryeministri i përgjigjeve të Pyetësorit të BE-së.

8 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›