Engel: Vendimi i Thaçit për veriun, i drejtë

Kongresmeni amerikan Eliot Engel, tha se veprimi i kryeministrit Hashim Thaçi për marrjen në kontroll të pikave doganore në veriun e Kosovës, ishte një vendim i drejtë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Engel i bëri thirrje Beogradit që të njohë pavarësinë e Kosovës. “Nuk është e drejtë që mallrat e Serbisë të lejohen të hyjnë në Kosovë ndërsa mallrat e Kosovës të ndalohen plotësisht në Serbi. Çdo udhëheqës i një vendi me sovranitet, siç është Kosova, do të vepronte drejt nëse do të kishte marrë këto masa. Kjo ndihmon për sundimin e ligjit dhe ndihmon për sqarimin e gjërave. Janë zhvilluar bisedime mes kosovarëve dhe serbëve dhe ka patur marrëveshje për të lejuar mallrat nga Kosova të hyjnë në Serbi me etiketat ku shkruhet Kosovë dhe serbët në Beograd nuk e pranuan këtë kompromis”, ka thënë Engel. Ai shton se Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe shumica e vendeve europiane, e ndjejnë se kjo ishte e vetmja gjë që mund të ishte bërë. Megjithëse kongresmeni Engel mendon se tani e tutje, gjërat duhet të bëhen në bashkërendim me aktorët ndërkombëtarë në Kosovë, ai thotë se kryeministri Thaçi nuk ka pse të marrë miratimin e të gjithëve për veprimet që ndërmerr, por ai duhet të bëjë që është në interes të vendit të tij. Ligjvënësi amerikan thotë se ka ardhur koha që udhëheqja serbe në Beograd të pranojë se Kosova është një vend i pavarur.“Sa më shpejt që ajo ta bëjë këtë, aq më mirë do të jetë. Shpresoj se të gjithë do të jenë një ditë pjesë e Bashkimit Evropian, duke përfshirë Kosovën dhe Serbinë. Në atë kohë, kufijtë nuk do të jenë më të rëndësishëm”, ka theksuar Engel në intervistën për VOA.