E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenia apelon për kthim të dialogut Kosovë-Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë ka shprehur shqetësimin e saj për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Në një deklaratë për shtyp Ministria kërkon që të dyja palët të përmbahen nga të gjitha aktet e dhunës, si dhe nga veprimet që do të qonin në rëndimin e situatës.

Diplomacia sllovene u kërkon të dyja palëve që t`i lejojnë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të kryejnë detyrat e tyre ndërsa shton se zgjidhja e çështjeve të hapura "duhet të kërkohet brenda dialogut Prishtinë-Beograd, i cili duhet të vazhdojë pa vonesë".

Ministria thekson se "arritja e stabilitetit të përhershëm, e sigurisë dhe e zhvillimit rajonal, është e mundur vetëm me perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të cilën duhet të përpiqen liderët e të dyja palëve".

"Duke marrë parasysh marrëdhëniet miqësore me të dyja shtetet, Sllovenia mbetet e gatshme për të marrë pjesë në kërkimin e zgjidhjeve", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme sllovene.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›