Engel: Zgjedhjet, më të mirat e më të lirat
Zgjedhjet e 28 qershorin më të mirat që Shqipëria kishte zhvilluar ndonjëherë. Ky është qëndrimi i kongresmenit amerikan Eliot Engel, gjatë një interviste televizive. Një njohës i mirë i Shqipërisë, kongresmeni tha se “kësaj here për sa kam parë dhe jam informuar monitoruesit ndërkombëtarë dhe inspektorët e votimit, u tha se këto zgjedhje ishin më të mirat, më të lirat dhe më të organizuarat në historinë e Shqipërisë, që mendoj se është shumë me rëndësi kur këta e thonë këtë, nuk po e them unë por po e thonë inspektoret ndërkombëtarë, të cilët janë neutralë dhe i qasen kësaj vetëm nga pikë vështrimi i organizimit dhe zhvillimit të tyre. Këto janë zgjedhjet e para të Shqipërisë që nga anëtarësimi i saj në NATO, gjë kjo që mendoj se i ka dhënë rëndësi të veçantë”, theksoi Engel. Sipas tij “Parë prej gjithë asaj që kam dëgjuar nga inspektorët ndërkombëtarë është se këto ishin zgjedhjet më të lira dhe më të mira që Shqipëria ndonjëherë i ka organizuar në historinë e saj, për çka unë dua ta uroj dhe përgëzoj popullin shqiptar”. Por tani që zgjedhjet kanë përfunduar dhe Partia Demokratike e Lëvizja Socialiste për Integrim do të formojnë qeverinë e re, kongresmeni amerikan u bën thirrje të dyja kaheve politike që të bashkëpunojnë për të mirën e vendit. “S’do mend se të dyja palët duan ta shohin Shqipërinë duke prosperuar, të dyja palët shqetësohen dhe dua tua them të dyja palëve, dua tua them edhe pjesëtarëve të koalicionit të ri Sali Berishës, Ilir Metës dhe Edi Ramës gjithashtu që të punojnë së bashku sepse Shqipëria ka nevojë për tërë ndihmën që mundet ta ketë për ta parë vendin e unifikuar si dhe për të siguruar tërë ndihmën e mundshme”, theksoi Engel.