Shkodranët: Tani luajmë vetëm për nder
Për sekretarin e klubit shkodran, Agim Medja, rezultati i takimit të parë mund dhe duhej të ishte evituar. Si një nga specialistët më të mirë që ka momentalisht klubi i futbollit "Vllaznia", ai ka dhënë dhe shpjegimin e tij mbi rezultatin e thellë të pësuar. "Për rrjedhën që ishte futur loja, nuk mendoja se ekipi do të kishte një rezultat të tillë në fund të takimit. Mund të them se për afro 70 minuta, skuadra u mundua shumë dhe arriti që të administrojë atë rezultat 1-0 të pjesës së parë nga një 11-metërsh i dhënë në favor të ekipit vendës. Pavarësisht se loja nuk ishte më e mira, një rezultat 1-0 do të ishte i favorshëm shumë për ne. Madje, mund të thosha se nëse mund të kishim shënuar pas rezultatit 3-0, mund të kishim përsëri një rezultat të mirë. Unë e shikoj të pamundur një përmbysje, por të paktën ekipi të tregojë një lojë të bukur dhe ta mbyllim me fitore", thotë sekretari i klubit kuqeblu, Agim Medja.