E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Kosova në tryezën e Unionit Parlamentar të Botës

 

ADI SHKEMBI

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kërkon që Parlamenti i Kosovës të bëhet pjesë e Unionit Ndërkombëtar Parlamentar. Nën drejtimin e presidentit të Unionit Ndërkombëtar Parlamentar(IPU), Theo-Ben Gurirab, u zhvillua në Gjenevë takimi i parë i Komitetit Përgatitor për Konferencën e Tretë Botërore të kryetarëve të parlamenteve, që pritet të mbahet në 2010. “Kryeparlamentarja shqiptare shfrytëzoi këtë tryezë për t’i paraqitur IPU-së kërkesën që Parlamenti i Kosovës të bëhet pjesë sa më parë e kësaj organizate dhe të mundësohet prania e kryeparlamentarit të Kosovës në Konferencën e tretë botërore të kryetarëve të parlamenteve”, thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit të Kuvendit. Gjithashtu Topalli u kërkoi homologëve të saj, të njohin dhe të lobojnë për njohjen sa më të shpejtë të Kosovës për të inkurajuar një rajon në përpjekjet e tij bashkëpunuese për integrim. Homologet e Brazilit, të Indonezisë, të Afrikës së Jugut, të Beninit u angazhuan se do ta trajtojnë me përparësi në axhendën e tyre. “Kryetarja e Parlamentit, në një nga ndërhyrjet e saj, tha se e sheh institucionin e Parlamentit si aktor dhe faktor kryesor, i vetmi institucion përfaqësues i sovranit në misionin e ligjbërjes dhe mbikëqyrjes së institucioneve të tjera dhe theksoi se parlamenti është arena e debatit, i vetmi vend ku vendoset dhe projektohet e ardhmja. Ajo, gjithashtu, vlerësoi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit ndërparlamentar”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Komiteti përgatitor përbëhet nga 20 kryetarë parlamentesh, të përzgjedhur prej 186 anëtarëve të IPU/së dhe Shqipëria për herë të pare, bëhet pjesë e këtij komiteti. Kryetarët e parlamenteve nga të gjitha kontinentet, si kryetari i Brazilit, i Australisë, i Afrikës së Jugut, i Egjyptit, i Indonezisë, i Jordanisë, i Finlandës, Francës e përfaqësues të Kinës, theksuan se kjo konferencë e tretë duhet të përfshinte në axhendën e saj të gjitha çështjet dhe problemet, me të cilat në këtë fillim shekulli, përballet i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Në mënyrë të veçantë ata theksuan se kjo konferencë  duhet të synojë ridimensionimin e rolit të parlamenteve nacionale, për të trajtuar në këtë kohë sfidash problemet globale. Anëtarët e Komitetit Përgatitor ndanë të njëjtin mendim se kjo konferencë duhet të shënojë një etapë të re në bashkëpunimin ndërparlamentar, me synim kthimin e IPU-së në një organizatë eficente ndërkombëtare, në shërbim të të gjithë parlamenteve kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›