E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Komploti i Mehmetit me CIA-n për të eliminuar Enver Hoxhën”

 

AFRIM IMAJ

“Isha duke bërë diplomatin, kur u detyrova t’i futesha një loje spiunazhi. Mbeta objekt i një misioni të fshehtë fare rastësisht dhe bëra të pamundurën për t’ia dalë mbanë”.Ajo për të cilën bën fjalë Piro Andoni, ish-diplomati shqiptar në Argjentinë në librin e botuar këto ditë “Atje larg në fund të botës”, ka lidhje me zbulimin e një dokumenti sekret të CIA-s i adresuar fund e krye për Shqipërinë. Është një histori që zë fill në ambasadën e SHBA-së në Buenos Aires, ku qysh në vitin ‘60 ruhej në arkiv plani për eliminimin e Enver Hoxhës dhe ndryshimin e kursit politik në Shqipëri. I rezervuar vetëm për lidershipin komunist të Tiranës, dokumenti enigmatik u bë i njohur për publikun pas viteve ‘90. Kujtimet e ish-ambasadorit rrekin të na sjellin retrospektivën e ngjarjes së bujshme, që për kohën u klasifikua një mision i rëndësishëm dhe shumë i vështirë. Në rrëfimin për gazetën “Panorama”, Andoni sqaron me detaje rrethanat si ka mësuar për ekzistencën e dokumentit të CIA-s me objekt Shqipërinë nëpërmjet argjentinasit Farrana, përmbajtjen e telefonatave me Reiz Malilen pas raportimit për të, përpjekjet e fshehta për t’u futur deri tek arkivat supersekrete të shërbimit inteligjent më të fuqishëm të botës, ku ishte “burgosur” letra misterioze, çastet kur i është dashur ta përkthejë me një frymë në kushte sekrete dhe odisenë e kthimit të Shqipëri për ta sjellë në duart funksionarëve të lartë shkresën enigmatike...
Zoti Piro! Në librin me kujtime të botuar së fundi, shkruani ndër të tjera për historinë e një dokumenti sekret që keni sjellë me urgjencë nga Argjentina, ku pasqyrohet skema e një operacioni për eliminimin e Enver Hoxhës në vitin ‘60. Fillimisht diçka për përmbajtjen konkrete të tij...
Këtë dokument munda ta siguroj e ta sjell në Tiranë në vitin 1986. Ai bënte fjalë për një plan sekret të CIA-s, i cili do të zbatohej në bashkëpunim me Mehmet Shehun. Plani ishte parashikuar në tri faza. Faza e parë kishte si objektiv eliminimin e Enverit drejtpërdrejt nga Mehmet Shehu. Faza e dytë përfshinte masat për ndryshimet politike në Shqipëri, ku parashikohej marrja e pushtetit nga Mehmeti dhe tjetërsimi dalëngadalë i sistemit. Faza e tretë parashikonte afrimin e Shqipërisë me vendet Perëndimore dhe vendosjen e marrëdhënieve me SHBA-në. Ndryshimet në Shqipëri nuk synonin kalimin e menjëhershëm në një sistem kapitalist, por   bashkëjetesën disavjeçare midis klasës kapitaliste dhe ekonomisë sociale, ku njerëzit e rrënuar ekonomikisht do të jetonin nëpërmjet politikave sociale. Ndërkaq dokumenti pasqyronte edhe situatat në kushtet kur operacioni mund të dështonte. Në këto rrethana parashikohej marrja e Mehmet Shehut në mbrojtje nga SHBA-ja dhe shpërblimi i tij me tre milionë dollarë. Në vija të përgjithshme, kjo ishte skema e hedhur në atë dokument sekret. Sa ishin të vërteta ato që shkruheshin në të, këtu ka shumë mister e të panjohura...
Si e siguruat dokumentin e CIA-s për përmbysjen politike në Shqipëri?
Kisha disa kohë që bëja detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Argjentinë, kur u njoftova për një dokument të fshehtë të CIA-s, ku bëhej fjalë për një operacion të saj në vendin tonë. Ishte diçka shumë e rëndësishme dhe menjëherë u angazhova për ta siguruar në mënyrë që të zbulonim qëllimin e tij. Në atë kohë të dhëna të tilla dilnin prioritetet kryesore. Pas disa vështirësive jo të lehta munda ta hedh në dorë dhe në fshehtësi të plotë e përktheva menjëherë. Materiali me logon e CIA-s ishte shkruar në spanjisht dhe ishte konceptuar në formën e një platforme politike, që parakuptonte realizimin e qëllimit me një aksion të vrullshëm. Njoftova Tiranën për thelbin e përmbajtjes dhe menjëherë mora urdhrin për ta sjellë vetë në Shqipëri. Sakaq udhëtova në rrugën më të shpejtë e më të sigurt dhe ia dorëzova në dorë ministrit të Punëve të Jashtme, Reiz Malile. Ndenja me të disa çaste, folëm e diskutuam me shqetësim rreth të papriturave që shfaqte dokumenti misterioz dhe u largova duke lënë bashkë me të një raport përmbledhës për mënyrën si e kisha siguruar në Buenos Aires, të cilin ma kërkoi aty për aty ministri...
Kishte qëlluar herë tjetër t’u binin në dorë materiale të tilla me karakter agjenturor?
Unë isha i ri në misionin diplomatik. Kisha vetëm dy vjet përvojë në këtë fushë. Madje për herë të parë ushtroja detyrën e ambasadorit. Më përpara kisha bërë gazetarin në Radio Tirana. Prej aty u bëra pjesë e shërbimit diplomatik. Me sa duket njohja e gjuhës spanjolle dhe botimi i një libri që bëra menjëherë pas konfliktit për ishujt Malvine u bënë shkas për t’u bërë pjesë e personelit të shërbimit diplomatik...
Kush ishte njeriu që ju njoftoi se në ambasadën amerikane në Buenos Aires ndodhej një dokument i CIA-s që bënte fjalë për Shqipërinë?
Ai që më informoi për këtë dokument ishte njëri ndër njerëzit që në zhargonin tonë i cilësonim “Miq të Shqipërisë”. Në rastin e tij, besimi bëhej më i madh, pasi kishim të bënim me kreun e shoqatës Argjentinë-Shqipëri. E quanin Gerardo Farrani. Isha njohur me të në ditët e para kur nisa detyrën e ambasadorit në Buenos Aires. Më herët kolegët që gjeta aty më kishin thënë se Farrani ishte dashamirës i vendit tonë dhe ushtronte prej vitesh aty profesionin e tregtarit, madje njihej i suksesshëm në fushën e tij. Që në kontaktet e para me të mësova se kishte kontribuar për të zgjeruar lidhjet e ambasadës tonë me qarqe të ndryshme tregtarësh vendas për interesa të shtetit tonë. E vërteta është që kontaktet me të i kisha të shpeshta dhe vazhdimisht dalloja tek ai frymën e solidaritetit dhe miqësisë së sinqertë. Farrani vinte shpesh në ambasadë, por jo rrallë më merrte në telefon dhe takoheshim në kafe. Shfaqej mik i Shqipërisë dhe simpatizonte historinë e vendit tonë...
Çfarë e lidhte Gerardo Farranin me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe si ishin vendosur kontaktet e tij me diplomatët tanë në Argjentinë?
Kontaktet e para të Gerardo Farranit me shqiptarët kishin nisur qysh në fillimin e viteve ‘50. Në atë kohë nuk bëhej fjalë për takime me zyrtarë e diplomatë të vendit tonë, por për kontakte me emigrantë shqiptarë që kishin depërtuar aty. Me sa më kujtohet nga bisedat me të, shqiptari i parë që ka takuar ka qenë nga Lezha, pastaj është miqësuar me disa të tjerë, ndër të cilët edhe me shqiptarë nga Kosova dhe Mali i Zi. Në shoqërinë e tyre ka pyetur e është interesuar për vendin tonë, për traditat e zakonet, për miqtë e aleatët tradicionalë të Shqipërisë. Ka vlerësuar sjelljet e të njohurve nga vendi ynë dhe është ndjerë mirë në komunikimin me ta. Hapja e ambasadës shqiptare në Buenos Aires ndikoi që Gerardo Farrani t’i shtonte marrëdhëniet e tij me vendin tonë. Pozicioni si kryetar i shoqatës së miqësisë midis dy vendeve tona, padyshim i bëri më të natyrshme këto lidhje. Nga kontaktet e shumta që kisha me të, dalloja simpatinë e veçantë që kishte për sistemin komunist në Shqipëri dhe sidomos për kredon e asaj kohe, sipas së cilës ne nuk ishim as lindje dhe as perëndim. Sidoqoftë, fakti që ai ishte një tregtar i hershëm, e vinte disi në dyshim profilin idealist të tij. Megjithatë, nga korrektësia me të cilën shfaqej dhe përpjekjet që bënte për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë tonë, nuk të linin të krijoje rezerva për të...
   Pra, njoftimi për dokumentin e CIA-s në ambasadën e SHBA—së në Argjentinë erdhi në shenjë mirëbesimi që Gerardo Farrani kishte për ju...
Në fakt, nga mënyra si ma ofroi Gerardo Farrani informacionin për ekzistencën e një dokumenti agjenturor të CIA-s për Shqipërinë, të linte të kuptoje se gjithçka ishte pjesë e mirëbesimit që kishim vendosur më herët. Unë siç e thashë kisha dy vjet që takohesha e bisedonim shpesh me Farranin. Ai ishte bërë në një farë mënyre promotori i veprimtarive për njohjen e vendit tonë në Argjentinë. Madje, këtë e bënte me zell e dashamirësi. Pikërisht në një nga ditët kur po flisnim për zgjerimin e këtyre aktiviteteve, Farrani më tha se kishte marrë dijeni nga një miku i tij në ambasadën e SHBA-së për një dokument tepër sekret, ku bëhej fjalë për një plan të CIA-s për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri. E vlerësova në çast si diçka serioze dhe fillova të mendoj për hapat e mëtejshëm se si do të vepronim për t’u njohur konkretisht me përmbajtjen e tij...
Të ndalemi te çasti kur Farrani ju njoftoi për herë të parë për ekzistencën e këtij dokumenti...
Ishte një prag mbrëmje kur më njoftuan në selinë e ambasadës ku ndodhesha se më kërkonte Farrani. Fillimisht gjykova se ishte një moment i papërshtatshëm dhe u tregova indiferent ndaj kërkesës së tij, i bindur se koha priste për t’u takuar të nesërmen. Kur nuk po ktheja përgjigje, mësova se Farrani këmbëngulte për t’u takuar me çdo kusht për një çështje shumë të rëndësishme. Nuk kishte ndodhur herë tjetër një ngutje e tillë nga ana e tij. Aty për aty u vura në kontakt me të dhe lashë vendin e takimit në një kafe në periferi të qytetit. Pas gjysmë ore shkova aty. Sa u takuam Farrani i shqetësuar më tha se kishte marrë dijeni për një plan të CIA-s për Shqipërinë. E dëgjova me vëmendje dhe i kërkova burimin e informimit. Sakaq ai shpjegoi se këtë e kishte mësuar nga goja e një mikut të tij të besuar, që punonte në ambasadën e SHBA-së në Buenos Aires. Në ç’rrethana biseduat me amerikanin për këtë çështje?, e pyeta disi dyshues. Unë e kam mik të hershëm, shtoi Farrani. Para disa orësh isha në një takim me të, ku flisnim për problemet e biznesit. Ra fjala për lidhjet e mia me Shqipërinë e shqiptarët dhe në një çast të shkujdesur ai më tregoi se në ambasadën e tyre është një material tepër sekret i CIA-s, i cili bën fjalë për një plan operacional, që ka për qëllim likuidimin e Enver Hoxhës nëpërmjet bashkëpunimit me një udhëheqës të lartë të Tiranës. Më tha ndërkaq se ishte i gatshëm për të ma treguar nga afër dokumentin, gjithnjë në mirëbesim, pasi siç thoshte ai kishim të bënim me një problem shumë delikat...
Si operuat më tej pasi u njohët me këtë informacion të rëndësishëm?
E para, e pyeta Farranin për detyrën që bënte miku i tij në ambasadën e SHBA-së dhe mësova se ishte njëri nga punonjësit e arkivit sekret të saj. Madje, më tregoi dhe emrin e tij. Me sa më kujtohet quhej Mendes dhe ishte i moshës rreth 45-vjeçare. Farrani ngulte këmbë se nëse shtetit shqiptar i interesonte ta kishte këtë dokument ai ishte i gatshëm ta siguronte. Sidoqoftë, atë çast nuk mund t’i kërkoja gjë, pasi çështje të tilla ishin jashtë profilit të punës time. U sigurova për aq sa më foli dhe i rashë shkurt duke i lënë të kuptonte se do të takoheshim përsëri.   Pas pak u ndamë. Unë me nxitim telefonova Tiranën dhe u lidha menjëherë me ministrin e Jashtëm, Reiz Malile. E njoha atë me informacionin e Farranit dhe i kërkova leje për veprimet e mëtejshme...
Cili ishte rekomandimi i Reiz Maliles?
Ai u trondit nga informacioni që i dhashë dhe më sugjeroi të interesohesha më tej për përmbajtjen e dokumentit që mbante mbishkrimin e CIA-s. Më porositi të operoja me kujdes dhe mbi të gjitha, sipas tij, do të ishte me interes po të siguronim një kopje të këtij dokumenti. Gjithçka sipas tij duhej bërë në konspiracion të jashtëzakonshëm, jo vetëm për faktin se kishim të bënim me një dokument sekret të CIA-s, por se aty bëhej fjalë për një udhëheqës të lartë shtetëror...
Ishte fjala për Mehmet Shehun apo jo...
Në dokument me sa më sqaroi Farrani nuk përmendej emri i Mehmet Shehut, por të gjitha të dhënat që përshkruheshin aty të çonin tek emri i tij. Kishte gati pesë vjet që Mehmet Shehu ishte vetëvrarë në rrethana të dyshimta, ndërkohë që partia vazhdonte propagandën e saj energjike për të bindur opinionin për veprimtarinë e tij agjenturore.
Vijon nesër

LIBRI i andonit

“Atje larg... në fund të botës”, libri i fundit i shtëpisë botuese “BOTART”, sjell një panoramë tërheqëse nga periudha e Luftës së Ftohtë, duke iu rikthyer diplomacisë së Shqipërisë, nëpërmjet ditarit të ish-ambasadorit në Argjentinë, Piro Andoni.Me analizat, mbresat, vëzhgimet dhe emocionet e plazmuara gjatë shërbimit diplomatik në kontinentin e largët, autori zbulon një botë të njohur pak në histori, traditë, kulturë, letërsi dhe art, por mbi të gjitha, një ngrohtësi njerëzore mjaft gjurmëlënëse. Gjithçka jepet nëpërmjet memuareve diplomatike, të cilat mbeten pjesë e historisë së diplomacisë që nuk kanë gjetur vend në relacionet zyrtare, por janë fiksuar në memorien e autorit si visare të rralla. Mbresëlënëse janë sidomos episodet nga jeta e shqiptarëve të Argjentinës, të cilët jetojnë me kujtimet e të kaluarës për atdheun e tyre. Njerëz që janë të përmalluar për vendlindjen e tyre, por që zhgënjehen sa mbërrijnë në tokën e të parëve, të cilën nuk e panë kurrë siç e ëndërronin.
 

Misteret e një dokumenti me mbishkrimin e CIA-s
Kur kishte vdekur Enver Hoxha, në mesin e viteve ‘80, shërbimet inteligjente zbuluan një skenar të panjohur për eliminimin e tij! Dokumenti misterioz i nënshkruar në vitin ‘60, u sigurua në ambasadën e SHBA-së në Argjentinë dhe menjëherë u bë pjesë e fondit “Tepër sekret” të lidershipit komunist. Në të parashikohej likuidimi i Enverit me një operacion të përbashkët të Mehmet Shehut, ish-kryeministrit të asaj periudhe me CIA-n amerikane. I klasifikuar si shumë i rëndësishëm dhe i rezervuar për një grusht njerëzish të besuar, dokumenti me mbishkrimin e CIA-s shumë vite mbeti i mbyllur në dosjet e Ministrisë së Jashtme. Opinioni i gjerë është njohur me të vetëm pas zhvillimeve politike të ‘90-ës. Gazeta “Panorama”, duke filluar nga sot do të risjellë në vëmendjen e lexuesit historinë e një prej dokumenteve sekrete më të komentuara gjatë 10 viteve të fundit, i cili flet për lidhjet e CIA-s me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, nëpërmjet kujtimeve të njërit prej protagonistëve të saj, ish-ambasadorit Andoni. Gjithsesi, i ashtuquajtur plan për eliminimin e Enver Hoxhës në vitin ‘60, mbetet ende i mbështjellë me mister, dyshime, hamendje e opsione të shumta. Në dilemat pa fund ka që mendojnë se bëhet fjalë për një alibi të sigurimit të shtetit për të përligjur revanshin e lidershipit komunist ndaj figurës së Mehmet Shehut, dënimi i të cilit kaloi jo pa probleme në opinionin publik. Ka që besojnë se kemi të bëjmë me një lojë të CIA-s për t’i ardhur në ndihmë pasardhësit të diktatorit, Ramiz Alisë, tek i cili shpresohej ndryshimi i kursit politik të Tiranës dhe afrimi me Perëndimin. Shumë të tjerë i bën dyshues mënyra si u sigurua rrëmbimi i këtij dokumenti në kasafortat sekrete të CIA-s. Sidoqoftë, përtej hamendësimeve të shumta, “Panorama” merr përsipër të zbardhë mbresat e ish-diplomatit shqiptar nga kjo aventurë me profil spiunazhi, pa pretenduar se zotëron të vërtetën rreth kësaj historie ende të mistershme... 

Gazetari i Radio Tiranës, ambasador në Argjentinë
Ka qenë një nga rastet e pakta në kohën e komunizmit, ku një gazetar përzgjidhej për të bërë diplomatin. Piro Andoni, diplomati që u bë i njohur në mesin e viteve ‘80 me zbulimin e dokumentit sekret për ndryshimin e kursit politik në Shqipëri, nisi detyrën e ambasadorit pas një përvoje të gjatë në Radio Tirana. I ardhur aty nga armata e mësuesve pas diplomimit në Fakultetin Histori-Filologji, tërhoqi vëmendjen e rretheve mediatike për analizat dhe komentet rreth zhvillimeve ndërkombëtare. Angazhimi në trajtimin e këtyre çështjeve i dha shansin për të kaluar nga Radio Tirana në departamentin e botimeve në gjuhë të huaja në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku bëri detyrën e përgjegjësit të sektorit. Në harkun e pesë viteve që punoi në këtë institucion të rëndësishëm për kohën, spikati si njohës i mirë i politikës së vendeve në zhvillim, të Afrikës, Amerikës Latine etj. Autor i shumë botimeve për probleme ndërkombëtare dhe përfaqësues i Shqipërisë si kryetar delegacioni në Brazil, Kolumbi, Peru, Nikaragua dhe Argjentinë solli dalëngadalë afirmimin e tij në shërbimin diplomatik. Botimi i librit “Ishujt Malvine”, në të cilin evokohej për herë të parë konflikti anglo-argjentinas, tërhoqi vëmendjen në qarqet e larta zyrtare të kohës. Ca më tej jehona e tij në zonën në konflikt, i jepte suksesit një dimension tjetër dhe krijonte oportunitet pozitiv jo vetëm për autorin, por për vetë hierarkinë komuniste, që i vlerësonte me leverdi marrëdhëniet me Argjentinën. Ishte ky momenti që ish-gazetarit të Radio Tiranës do t’i buzëqeshte fati dhe drejtpërdrejt me bekimin e Enver Hoxhës do të niste punën si ambasador në Buenos Aires, detyrë të cilën do ta kryente nga viti 1984 deri në vitin ‘91. Por ish-gazetari nuk do t’i largohej asnjëherë pasionit të rinisë. Me mjeshtërinë e tij ka sjellë në shqip biografinë e artistes së madhe botërore “Greta Garbo, historia e saj”, shkruar nga Antonio Growich dhe librin “Si të jetosh më mirë me pak”. Aktualisht ka në përkthimin e librit “Ditari i Che Guevarës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›