E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana shkon për blof në Norvegji

 

ADRIATIK BALLA

Ajo që dukej si një situatë e vështirë dhe e pakuptueshme ka filluar të sqarohet, pasi Tirana po projekton surprizën në Norvegji dhe protagonist duket se do të jetë vetë trajneri Ilija Lonçareviç.
Fjalët e tij optimiste pas ndeshjes për një kualifikim të Tiranës në turin tjetër dhe mos humbja e besimit edhe pas dëmtimit të Mukës e të Muzakës, tregojnë qartë se trajneri ka diktuar pikat e dobëta të kundërshtarit dhe do të ndërtojë një formacion të tillë bardheblu që i jep grupit garanci për rezultatin. Gjithsesi, pranohet gjerësisht se 65-vjeçari po luan me blofin, pra shkurt po luan me kartën e tij të fundit për të siguruar kualifikimin. Pasi e ka studiuar me detaje Stabekun dhe ka kuptuar kapacitetin e ekipit të tij, trajneri Lonçareviç ka bërë gati "recetën", e cila po mbahet sekret edhe në vetë ambientin bardheblu. Madje as lojtarët titullarë nuk kanë pasur dijeni për të deri dje pasdite, kur tekniku zhvilloi një stërvitje me dyer të mbyllura dhe praktikoi për herë të parë pas barazimit të 15 korrikut një skemë të çuditshme, të panjohur për lojtarët, por e bukur në tërësinë e saj, pasi e bën ekipin më agresiv dhe më efikas në fushën e lojës, pavarësisht se nuk e ka kapacitetin e duhur fizik për të përballuar furinë e kundërshtarit. "Unë e kam një ide mbi lojën që do të bëjmë, por parapëlqej të mos flas para kohe. Sigurisht që kualifikimi do të jetë i vështirë, por unë ende besoj se ekipi im ka mundësi të kalojë në turin tjetër. Tirana do ta thotë fjalën e saj edhe në ndeshjen e kthimit dhe nuk mund të dorëzohemi në këtë moment. Optimizmi im ka bazë praktike, prandaj jam i mendimit se mund t'ia dalim mbanë me sukses", tha para dy ditësh Lonçareviç, që vazhdon të mbajë sekret formulën e tij të re. Burime pranë lojtarëve theksojnë se trajneri ka ndërmend të ndërtojë një skuadër elastike, që të jetë e aftë të mbrohet me pak forca e të sulmojë me shumë forca, vetëm në saj të një pozicionimi taktik disi të çrregullt, por aspak të panjohur në botën e futbollit modern. Nisur dhe nga ajo çfarë është parë në seancat stërvitore, konkludohet që Lonçareviç synon blofin në Norvegji. E thënë shkoqur, duke ditur se nuk ka më çfarë të humbasë, kroati do të luajë gjithçka për gjithçka, me shpresën se mund t'ia dalë mbanë të mposhtë Stabekun dhe të kualifikojë skuadrën në turin tjetër. Gjithë synimi është të shënohet shpejt goli dhe të mbrohet rezultati. Madje po punohet në shumë drejtime me elementë të veçantë, pasi skema taktike është mjaft fleksibël dhe varion sipas kapacitetit fizik të lojtarëve. "Unë nuk mund të them se do të shënojmë 4-5 gola, por dëshiroj të shënoj një gol që më jep kualifikimin. Unë do të bind skuadrën të luftojë për rezultatin dhe rezultati që na kualifikon është plotësisht i mundshëm. Jam vërtet optimist, edhe pse e di që mungesat na kanë penguar jo pak në këtë mision", ka deklaruar Lonçareviç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›