E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, PS i jep afat Qeverisë deri më 17 maj

 

Partia Socialiste i ka dhënë dje ultimatum qeverisë të marrë masa për të zhbllokuar procesin e kartave, ndryshe ajo do të marrë një vendim për pozicionin e saj në zgjedhje. Kjo deklaratë u bë dje nga nënsekretari për çështjet ligjore në PS, Damian Gjiknuri, i cili inspektoi në terren lidhur me procesin e aplikimit për letërnjoftime në njësinë bashkiake nr. 1. Gjiknuri i kërkoi Ministrisë së Brendshme të bëjë publike dhe listën e shtetasve me pasaportë. “Shpreh edhe njëherë shqetësimin se procesi i shpërndarjes së letërnjoftimeve po has në pengesa serioze. Shumë zyra postare në një pjesë të vendit nuk po aplikojnë tarifat e reja, ose edhe kur i aplikojnë nxjerrin probleme për shumë persona”, theksoi Gjiknuri. Partia Socialiste akuzoi Ministrinë e Brendshme për mosbashkëpunim me opozitën për këtë proces, por sipas Gjiknurit, jep deklarata shabllone se procesi po ecën perfekt. Në emër të Partisë Socialiste, Gjiknuri ka theksuar se, nëse nuk ka vullnet të qartë nga qeveria për të dhënë informacionin e kërkuar, si dhe një ndryshim radikal në terren duke shmangur çdo barrierë administrative deri në 17 maj 2009, atëherë PS-ja do të rishikojë qëndrimin e saj në lidhje me zgjedhjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›