“Gërdeci”, Gjykata rrëzon Prokurorinë
Armand Bajrami
Gjykata e Lartë rrëzoi dje kërkesën e Pro-kurorisë së Përgjithshme për përjashtimin e tre anëtarëve të Kolegjit Penal që do të shqyrtojnë dosjen “Gërdeci”. Kërkesa e organit të akuzës u paraqit dje në seancën dytë në radhë kundër 29 personave të pandehur dhe shoqërisë “Albademil”, si person juridik, të akuzuar si shkaktar të tragjedisë. Në vendimin e djeshëm thuhet se gjyqtarët Besnik Imeraj, Evgjeni Sinoimeri dhe Irma Bala do të vazhdojnë të jenë pjesë e Kolegjit Penal që do të shqyrtojnë dosjen “Gërdeci”. Seanca filloi në orën 10:00 dhe vazhdoi për 5 orë, për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme si pasojë e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë. Kërkesa e akuzës u pasua me hedhjen e shortit për caktimin e një trupe gjykuese që do ta shqyrtonte atë. Për rreth 40 minuta trupa e re gjykuese, e kryesuar nga gjyqtarja Shpresa Beçaj, u fut në sallë ku u njoh me pretendimin e Prokurorisë. Në përfundim gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës dhe vazhdimin e procesit me të njëjtën trupë gjykuese të pandryshuar. Në vijim, gjykata u njoh me kërkesat paraprake të të pandehurve, 16 prej të cilëve kërkuan veçim të çështjes nga Ministri Mediu. Gjithashtu gjykata u njoh dje edhe me kërkesat e 3 paditësve civilë, të cilët kërkuan të legjitimohen si palë në procesin penal. Ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu, i pandehur në këtë proces, nuk mori pjesë në seancë ndërsa përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës. Në përfundim gjykata, për t’i dhënë kohën e mjaftueshme prokurorisë, për të paraqitur mendimin e tyre për kërkesat e avokatëve, e shtyu seancën për në datën 22 maj 2009.
Gjyqtarët, konflikt interesi
“Kërkojmë përjashtimin nga trupa gjykuese që po merr në shqyrtim këtë çështje të gjyqtarëve Besnik Imeraj, Evjeni Sinoimeri dhe Irma Bala”, tha prokurori Sokol Stojani sapo iu dha fjala për paraqitjen e kërkesave paraprake. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, vajza e gjyqtarit Imeraj “në cilësinë e avokates të zyrës së avokatisë “Hoxha&Hajdari”, me autorizim të datës 1 mars 2007 nga Mihal Delijorgji, i pandehur në këtë proces, në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Albademil” sh.p.k, person juridik i pandehur ne proces, është emëruar së bashku me dy avokatë të tjerë për kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për depozitimin e dokumentacionit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit Tiranë”. “Gjithashtu bëhet i njohur fakti se gjyqtari Besnik Ymeraj ka marrëdhënie shoqërore me Ilirjan Celibashin, i cili është kunati i të pandehurit Fatmir Mediu dhe me avokatin Ardian Vishaj, i cili është mbrojtësi ligjor i këtij të pandehuri”, vijoi më tej prokurori. Kërkesën e përjashtimit të gjyqtareve Sinoimeri dhe Bala, përfaqësuesi i akuzës e argumentoi me faktin se ata kanë qenë në një kolegj penal që ka shqyrtuar më parë një kërkesë të bërë nga Mihal Delijorgji. “Gjyqtarja Irma Bala ka qenë pjesë në shqyrtimin e kryer nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në dhomën e këshillimit me vendimin nr.333 datë 14 korrik 2008 për rekurs nga prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranës kundër personit nën hetim Mihal Delijorgji me objekt ‘vendosjen e sekuestros konservative’, duke vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga personi nën hetim Mihal Delijorgji, kundër vendimit 272 data 17.4.08 të gjykatës së Apelit Tiranë”, pohoi prokurori Sokol Stojani. I njëjtë ishte argumentimi edhe për gjyqtaren Sinoimeri. Për të prokurori shtoi edhe faktin se ka marrë pjesë në caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” dhe “caktimin e afateve të paraburgimit” ndaj të pandehurve Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji. Në këtë seancë është vendosur shpallja e moskompetencës për gjykimin e këtyre kërkesave të Prokurorisë së Përgjithshme dhe caktimin si gjykatë kompetente të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Gjyqtarët dhe argumentet
Besnik Ymeraj
- e bija avokate e Delijorgjit në regjistrimin në QKR
- miqësia me kunatin e Mediut dhe avokatin e tij
Efgjeni Sinoimeri
- anëtare në Kolegjin penal që shqyrtoi kërkesën e Delijorgjit
- anëtare në Kolegjin Penal që shqyrtoi caktimin e masës së sigurisë të Delijorgjit, Pinarit dhe Minxollit
Irma Bala
- anëtare në Kolegjin penal që shqyrtoi kërkesën e Delijorgjit
“Klientëve u shkelet e drejta e apelimit të vendimit”
Avokatët e 16 të pandehurve: Të ndahet gjykimi nga Fatmir Mediu
TIRANE – Avokatët mbrojtës të 16 prej të pandehurve kërkuan dje nga gjykata, veçimin e çështjes për klientët e tyre. Sipas këtyre avokatëve, Gjykata e Lartë nuk është kompetente të gjykojë të pandehurit që ata mbrojnë në proces. Duke iu referuar neneve kushtetuese, që përcaktojnë kategorinë e personave që gjykohen nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, avokatët kërkuan veçimin e çështjes për të pandehurit që mbrojnë. “Gjykimi i kësaj çështjeje në Gjykatën e Lartë bie ndesh me nenin 43 të Kushtetutës ku thuhet se kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimin në Gjykatën e Lartë, përveçse kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe. Duke e gjykuar klientin tim në Gjykatën e Lartë atij i mohohet e drejta e ankimimit”, pohoi Mark Pëllumbi, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Dashnor Caushi. Mohimi i të drejtës së ankimimit për klientët e tyre ishte argumenti kryesor i paraqitur edhe nga avokatët e tjerë që kërkuan veçim. ar.ba
Sokol Gjeci, i vetmi në gjykatë
Vetëm Sokol Gjeci, një prej të pandehurve të dosjes “Gerdeci” që është në masën e sigurisë “arrest me burg” ishte i pranishëm dje në seancë. Ndërsa po dje ai kërkoi nga gjykatë që në seancë e ardhshme të mos ishte i pranishëm, por të përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës. Pas hetimeve të dosjes së tragjedisë në qeli përfunduan Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Gjeci.
Avokati mbështet përjashtimin
Në një kohë që prokuroria kërkoi dje përjashtimin e tre prej gjyqtarëve, avokati Leonard Dingo e cilësoi atë si korrekte. I pyetur nga gjykata për kërkesa paraprake, Dingo, avokati që mbron interesat e të pandehurit Jorgo Mino, kërkoi përjashtimin e gjyqtareve Sinoimeri dhe Bala. “Kërkesa e akuzës është e mbështetur në kodin e Procedurës Penale dhe të konventës të së Drejtave të Njeriut”, pohoi avokati duke kërkuar përjashtimin e dy gjyqtareve.
Paditë civile, paraqiten kërkesat
Në seancën e djeshme shfaqën kërkesa edhe tre “grupe interesi” veç të pandehurve dhe prokurorëve. Avokatja Blerina Kraja, kërkoi të legjitimohej si palë në proces si përfaqësuese e familjarëve të viktimave të Gërdecit. Avokati i Shtetit kërkoi legjitimin e 2 avokatëve që do kërkojnë dëmshpërblim nga Delijorgji e “Albademil”. Dëmshpërblimi u kërkua të realizohet me marrjen në administrim nga Këshilli i Ministrave të pasurive që i janë sekuestruar atij. Bardhyl Ibra kërkonte pranimin e padisë për dëmshpërblim prej disa qindra milionë parash, për disa persona të lënduar nga shpërthimi.
“Na vunë bombë në Gërdec”
Biseda e mëposhtme është zhvilluar mes Mihal Delijorgjit nga burgu 313 dhe gruas së tij Vjollca, e cila ndodhej në gjendje të lirë. Përgjimi është zhvilluar më 27 mars 2008, mbi 10 ditë pas tragjedisë së Gërdecit. Dy bashkëshortët flasin në lidhje me ngjarjen, duke hedhur tezën se Gërdeci shpërtheu pasi ndonjë grup terrorist mund të ketë vendosur bombë. Aludohet se në ngjarje mund të jetë implikuar edhe bashkëortaku amerikan, Patrick Henry, me të cilin Delijorgji kishte pasur mosmarrëveshje. Në bisedën e dytë, të zhvilluar mes Delijorgjit dhe të shoqes, më 23 mars 2008, flitet për Kosta Trebickën pasi në atë kohë, biznesmeni po denonconte aferën e fishekëve që Shqipëria i ka shitur SHBA.
Përgjim i datës 27 mars 2008, Vjollca dhe Mihali.
Delijorgji: ... Jam në një dhomë tjetër duke luajtur domino.
Vjollca: Lejohet?
DELIJORGJI: Hiç mo rrimë... ti vetëm të mira ke bërë, pa e di unë çar ke bërë ti. Çar bëre!?
DELIJORGJI: Nuk kam bërë asnjëgjë, kjo që më ndodhi mua mund t’i ndodhi çdo njeriu. Mos e vrit trurin, një ditë do të dali çdo gjë, kush ka faj, kush nuk ka faj, nga është vënë, nga s’është vënë. Është e vënë. Tani kush e ka vënë vari t...(red). E kupton?
VJOLLCA: Nuk diskutohet ajo.
DELIJORGJI: Tani e ka vënë ndonjëri që është zënë Tani me punëtorët, ka një mijë pista. Po që është vënë, është vënë, se nuk ndodhte atje të merrte zjarr.
VJOLLCA: Asnjëherë në botë, çar thua?
DELIJORGJI: Ajo është vënë. Tani kush e ka vënë? E kanë vënë për inat, e ka vënë ai plehra që është zënë Patriku (Patrick Henry, pronar i SAC, red), e ka vënë ndonjë punëtor që ka pas inat Tanin, a e ka vënë ndonjë bandë terroriste? Po që e ka vënë njeri e ka vënë. Vari t...(red) është sikleti jonë që të rrimë këtu.
VJOLLCA: Po e meriton ti të rrish aty brenda hekurave?
DELIJORGJI: Po s’ke çar ti bësh, do t’i marrësh siç të vijnë. Një ditë para ishim në Greqi, ishim për qejf. Erdhi kështu e solli fati, çar t’i bësh. Nuk thua shyqyr që shpëtova se do të kisha ngrënë predhën, do të më kishit qarë tre ditë... Çdo gjë që do të ashtu mua, unë thashë nuk kam bërë gjë me dashje.
VJOLLCA: Më duket sikur ka ndaluar koha e të gjitha.
DELIJORGJI: Çdo gjë do të vejë në vend të vet, mos u mërzit, mos u mërzit do të marr prap.
Mihali-Vjollca, përgjim i datës 23 mars 08.
DELIJORGJI: ... tani të dish një gjë, klani juaj është i pastër.
Vjollca: As që e diskutoj fare.
DELIJORGJI: Me të gjitha letrat, me të gjitha kartat, me të gjithë. As s’e kërkova unë Gërdecin. Vetë amerikanët e kanë kërkuar. E di çar nuk jam unë në rregull, që të them që tani.
VJOLLCA: Siguracionin.
DELIJORGJI: Puna e siguracioneve që qe, për atë çdo jetë, tjetri nuk është penale, dhe do të bëjmë padi dhe kërkon dëmshpërblim, nuk e di a më kuptove.
VJOLLCA: Ylli është mirë se atë kam merak?
DELIJORGJI: Mirë është...
VJOLLCA: Ai plehra, ai Kosta e qepi buçen dhe ai, se doli Ambasada Amerikane dhe e qepi atë buçen, dhe tha se çdo gjë ishte e rregullt, që nga ai moment nuk flet me asnjë njeri.
DELIJORGJI: Iku ky muhabet, nuk qaj hall ... (nuk kup) ... jo që s’kisha lidhje fare. Unë dhe me këtë tjetrën jo se kam bërë ndonjë gjë.
VJOLLCA: Po e di unë jam e qartë. ... Po e tha Ylli Rakipi, Delijorgji është biznesmen, ka dalë me fitu para, ule e ngre tha, merruni me gjë tjetër.
DELIJORGJI: Nuk është vetëm kjo, unë nuk mund të qëndroja në këtë moment jashtë, se pse do të thoshin ja ndajnë lekët, dhe budallallëqet e kësaj natyre ... mos vrit mendjen, ne jemi xham fare këtu, mos çaj b...(red)
Përgjimi i Pinarit: Ka ardhur hetuesia jam në hall të madh
Bisedat e mëposhtme janë zhvilluar mes ish-drejtorit të ndërmarrjes “MEICO”, Ylli Pinari, dhe dy personave të tjerë. Telefonatat janë bërë vetëm dy ditë pas tragjedisë së Gërdecit. Pinari e di se zyra e tij do të kontrollohet dhe flet për të bërë dokumentet e një arme që mban pa leje. Nga ana tjetër, rreth një orë pas bisedës së parë, në zyrën e Ylli Pinarit kanë shkuar hetuesit e prokurorisë. Ish-drejtori i MEICO-s i thotë bashkëbiseduesit se i kanë shkuar “ata të hetuesisë” në zyrë dhe se ndodhet në një hall e siklet të madh. Bashkëbiseduesi e qetëson Pinarin duke i thënë se “do ti rregulloj unë ato punë”.
Përgjim i Ylli Pinarit ora 10:22, dt. 17 mars 2008
Bashkëbiseduesi tjetër numri 0682072146.
146: Hë Ylli si kalove, mirë?
Y: Mirë, dëgjo!
146: Fol, fol po të dëgjoj ... kam hallin se nuk e kam sistemuar atë si letra.
Y: Kë atë?
146: Çiften, atë teken.
Y: Çiften po, çfarë do ti tek ne?
146: S’e kthejmë dot mbrapsht ose të bëjmë atë lejen o burrë se do të bëj...
Y: Si të duash ti, është gjë e rregulluar si njëra dhe ajo tjetra.
146: Po i bëm .. spt s’ka problem, po qe se ... t’a kthej më mirë ashtu siç ishte edhe ... e?
Y: Mirë dakord ashtu do e bëjmë.
146: Si të ashtu, po!
Y: Mirë, mirë si të bëhet më mirë.
146: E si të duash, nëse ai nuk e nxjerr lejen deri sot, më mirë bjere dhe e gatisim?
Y: Ti je brenda rregullave...
146: Mirë po duhet bërë më kështu.
Y: Mirë, hajde ciao.
Ylli Pinari flet me numrin 0682020999, datë 17 mars 2008, 0ra 11.32
Y: Kam telash shumë të madh
999: Çfarë thua ti ore!
Y: Po, po, shumë, shumë.
999: Ku je tashi?
Y: Unë jam në zyrë me këta të hetuesisë.
999: Kush ka ardh aty?
Y: Janë ca të hetuesisë por është çështje e madhe fort e ke pas parasysh çfarë ka ba vaki? Edhe po togëzohet te mu, vetëm sa për të njoftuar.
999: Ti kry unë ato punë ty po, t’i heq vëllai qafe ato punë por avash, avash, shiko tashi: kur të mbarosh më telefono të pimë kafe.
Y: Epo vështirë se arrijë, po hajde.
999: Hajt, hajt, merrem unë me këtë punë urgjentisht.
Kërkesa për bllokimin e kompanisë së Delijorgjit
Prokuroria kërkesë në gjyq: Të bllokohet TDC, ndërtoi Gërdecin
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme paraqiti dje në Gjykatën e Lartë kërkesën për sekuestrimin e kompanisë “Trans Diggining Consulting”, e cila ka prishur ish-repartin e Gërdecit, për të ndërtuar aty fabrikën e demontimit. Pak kohë më parë u zbulua se kjo kompani, ku kishte aksione edhe Mihal Delijorgji, i kishte shpëtuar sekuestrimit nga Prokuroria. Kompania në fjalë del e pranishme në Gërdec që në prill 2006, kur ka shkuar aty dhe me një urdhër verbal ka nisur punimet me qëllim shembjen e ish-repartit ushtarak dhe ndërtimin aty të fabrikës së demontimit. Punimet ishin kryer me urdhra verbalë ndërsa ishte shembur prona e ushtrisë pa asnjë dokument të shkruar. Verifikimi i dokumenteve të kompanisë “TDC” tregoi se në këtë subjekt pronarë ishte Mihal Delijorgji, vëllai i tij si dhe Henris Balliu, vajza e botuesit Fahri Balliu. Për shkak të pronësisë së Delijorgjit në këtë subjekt, prokuroria kërkon bllokimin e firmës. Ajo është krijuar në shkurt 2006 me pesë ortakë dhe objekt të veprimtarisë së saj ka pasur gërmimin e dherave, me qëllim ndërtimi të veprave urbane. Kanë qenë pikërisht mjetet dhe punonjësit e kësaj firme, që janë paraqitur në Gërdec që në prill 2006 për të shembur repartin, me qëllim që të ngrinin strukturën e demontimit. Kjo strukturë, (fabrika) shërbeu më vonë për kompaninë tjetër të Delijorgjit, e cila vazhdoi demontimin e municioneve në bazë të kontratave me MEICO-n. tr.so
Ja dialogu pas shpërthimit
Biseda e mëposhtme është zhvilluar mes pronarit të kompanisë “Albademil” Mihal Delijorgji dhe drejtorit të fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli, (Tani)”. Dy bashkëbiseduesit, duke iu referuar raportimeve në media për punësimin e fëmijëve në Gërdec, flasin në lidhje me këtë gjë ndërsa mundohen të ngarkojnë me përgjegjësi për tragjedinë, firmën amerikane SAC, bashkëortake në fabrikën ku ndodhi ngjarja. Biseda është përgjuar më 16 mars 2008, rreth orës 11:36, pra rreth 24 orë pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec. Në fillim të komunikimit, Delijorgji e pyet Dritan Minxollin nëse kishte arritur të lidhej në telefon me një person. Dritan Minxolli, duke lënë të kuptohet për një zyrtar të lartë, thotë se nuk kishte arritur të lidhej pasi zyrtari ndodhej në blindin që hyri në kraterin e shpërthimit, një ditë pasi ndodhi tragjedia. Për arsye etike, gazeta sqaron lexuesin se disa fjalë në përmbajtje të përgjimit, nuk janë redaktuar me qëllimin për t’i qëndruar besnik dialogut të zhvilluar mes palëve dhe autenticitetit të përgjimeve. Më poshtë përgjimi i zbardhur:
Datë 16 mars
ora 11,36
Delijorgji: Hë mo Tano
Tani: Jo ma mbylli dhe mua se më duket ka hipur në blind dhe po shkojnë atje, se seç kanë gjetur ca viktima.
Delijorgji: Njëri thotë një të vdekur dhe 5 të mbijetuar të fshehur atje gjetën.
Tani: Po ishalla është ndonjëri nga ata, po ata ku ishin.
Delijorgji: Aty ku të thashë unë, tek ata kapanonet.
Tani: Te ata bunkerët e?
Delijorgji: Po
Tani: Ej një pyetje të të bëj unë se po shof gazetat: Ka pasë fëmijë aty të punësuar?
Delijorgji: Jo jo!
Tani: Po çfarë thonë, apo ja fusin kot?
Delijorgji: Ja fusin kot, nuk punonte dot asnjë fëmijë aty.
Tani: Prandaj po të them, sa ka qenë më i vogli aty?
Delijorgji: Më i vogli ka qenë 18 – 19 vjeç, e kupton? Tani, ma jep ndonjë mendje për këtë siguracion?
Tani: Të këtyre?
Delijorgji: E,e.
Tani: Po s’ke çfarë i bën, është projekt thuaj që do të fillonte, kishim bërë gati letrat për siguracion, s’ke çi bën asaj.
Delijorgji: .... do t’i shpërblejmë të gjithë, e ke parasysh!?
Tani: Normal, firma do të bëjë të pamundurën që t’i dëmshpërblejë sa të mundesh do të thuash, e kupton? Kjo është, po mos u merr shumë me intervista e me gjëra?
Delijorgji: Fare, fare me asnjërin, janë bërë gazetarë të gjithë.
Tani: Problemi është se tenderin e ka kompania amerikane, e kupton. Asistencën e ka ajo, ne kemi pas bashkëpunim, më kupton?
Delijorgji: Po
Tani: Bashkëpunim përsa i përket ndarjes së financimit të aktivitetit të programit, dmth të punës në terren, kaq, kurse të tjerat i ka pasë ajo.
Delijorgji: Po.
Tani: Kështu ... ai trapi tha ka mbaruar kontrata më datë 7.
Delijorgji: Ai është kot po lëre.
Tani: Ai Davidi ... kështu foli mirë ai, nuk foli keq po vetëm këtë që tha se ka mbaruar kontrata.
Delijorgji: Hajde mo ... ishalla ka gjetur ai tani.
Tani: Ishalla, hajt.
Madani kërcënon Pinarin: Do publikoj mbrojtjen e eprorit tënd “trafikant”
TIRANE - “Të njoftoj se do bëj publike në media bëmat e tua e përdorimin për t’u mbrojtur në prokurori të eprorit tënd trafikant”. Ky është teksti i një mesazhi që Ylli Pinari i ka dërguar në orën 17:00 të 17 marsit të vitit të kaluar, një të njohuri të vet, që mban në përdorim numrin celular 0682041521. Ky mesazh drejt tij është dërguar vetëm pak minuta para se Pinarit t’i shtrëngoheshin në duar prangat dhe të dërgohej në qelitë e paraburgimit, i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Vetëm dy orë më vonë, ky mesazh është transkiptuar nga oficerët e policisë gjyqësore, të cilët e kishin vënë në përgjim numrin celular që përdorte Pinari. Vetëm 11 minuta më vonë, Pinari është telefonuar nga funksionari i Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, nga numri celular 0682081923 dhe kanë zhvilluar bisedën sqaruese:
“Shkëlzeni: Nga emocionet e kisha Yllo, mos çaj kokë, Shkëlzen.
Ylli: Zeno, hë?
Sh: Ej, a gjete nji gjë që të thashë unë?
Y: Kërkova, po tani jam në Drejtori të Policisë.
Sh: Nuk ka ndonjë tjetër atje që të?
Y: Ku di gjë unë tani, dosja është sekuestru nga këto të prokurorisë.
Sh: Ti nuk mban mend dot gjëra, ok.
Y: Mirë Zeno, hajt”.
Kjo bisedë që ka zgjatur 46 sekonda është zbardhur gjithashtu pak minuta më vonë nga oficerët e policisë gjyqësore dhe tashmë ndodhet në dosjen “Gërdeci”. Siç duket dy personazhet e këtyre komunikimeve kanë pasur ndonjë përplasje me njëri-tjetrin më parë, dhe vetëm pas kërcënimit të bërë nga kreu i MEICO, Ylli Pinari, me anë të mesazhit telefonik, Madani është tërhequr dhe e ka quajtur thjesht moment emocional. Më pas të dy kanë “gjetur” gjuhën e përbashkët dhe vazhdojnë të diskutojnë për dokumentet e ndryshme që duhet të dispononin për të organizuar mbrojtjen. Ndërkohë që Pinari i bën të ditur Madanit se dokumentet tashmë i ka sekuestruar prokuroria, ndërsa vetë ky ndodhej në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit, ku pak minuta më vonë do t’i komunikohej urdhër-arresti i lëshuar në mungesë nga gjykata me kërkesë të prokurorisë. fa.ma
“Shënimin për Shkëlzenin e bëri Bumçi”
TIRANE
Më poshtë botohet procesverbali i marrjes në pyetje të shtetases Anjola Agolli, sekretare pranë Ministrisë së Drejtësisë. Ajo ka dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes, faksin ku ndodhet mendimi i Ministrisë së Drejtësisë mbi projekt-vendimin e Qeverisë, që do ti hapte rrugë demontimit të municioneve në Gërdec. Në cep të faksit Ministri i Drejtësisë ka shënuar “për z.Shkëlzen Berisha”, që nuk është punonjës në Ministrinë e Mbrojtjes ku adresohej faksi. Më parë, Ministria e Mbrojtjes pasi kishte hartuar projektvendimin kishte kërkuar mendim nga Ministria e Drejtësisë. Çdo ministri që propozon në Qeveri projekt-vendime, sipas procedurës duhet që më parë t’i paraqesë para Drejtorisë së Kodifikimit në dikasterin e drejtësisë për mendim. Faksi në fjalë është kthimi i përgjigjes “pro” për projektvendimin që i hapi rrugë Gërdecit. Më poshtë botohet dëshmia me shkurtime.
Pyetje: Po ju paraqes faksin e Ministrisë së Drejtësisë, drejtuar zotit Fatmir Mediu, me lëndë: Mendim për një projekt-vendim, në të cilin është shënimi me shkrim dore “Për z. Shkëlzen Berisha”. Data e nisjes së këtij faksi është data 13 mars 2007, ora 09:19, nga numri i faksit 23 45 60 dhe faksi ka emrin “Ministria e Drejtësisë”. A kujtoni ta keni nisur ju këtë faks dhe nga kush e keni marrë këtë shkresë, e cila është e protokolluar?
Përgjigje: Më kujtohet që të kenë qenë numri i paradhomës së Ministrit të Drejtësisë dhe e kam nisur unë. Shënimi i vendosur me shkrim dore tek cepi i majtë lart, “për zotin Shkëlzen Berisha”, është shkrimi i ministrit të kohës, Aldo Bumçi. Këtë faks e kam nisur unë për te Ministria e Mbrojtjes.
Pyetje: Nga e keni marrë ju dokumentin që e keni dërguar me faks?
Përgjigje: Nga drejtoria përkatëse, unë i‘a kam dhënë ministrit dhe ai ka vënë shënimin, dhe më ka dhënë udhëzimin. Ministri më udhëzoi t‘ia nisja Ministrisë së Mbrojtjes me faks shkresën që kishte vënë shënimin “Shkëlzen Berisha”. Nga Ministria e Mbrojtjes më ka marrë një zë femre, e cila më tha se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka njeri me atë emër dhe unë i kam thënë se kështu ma kanë dhënë faksin për ta nisur dhe unë vetëm po e nisja. Punonjësja e Ministrisë së Mbrojtjes më tha se aty kishte një punonjës tjetër me emrin Shkëlzen, por me mbiemër tjetër, ma tha mbiemrin por unë nuk e kujtoj. Unë i thashë që nuk kam dijeni më shumë, kështu ma kanë thënë ta nis siç është.
Pyetje: Ku e keni dorëzuar shkresën origjinale me shënimin “për zotin Shkëlzen Berisha”?
Përgjigje: Shkresën ma ka dhënë ministri dhe mendoj se ia kam kthyer përsëri kur i kam futur praktikat e tjera. Nuk di ku mund të jetë aktualisht kjo shkresë.
Pyetje: A njihni ndonjë shtetas me emrin Shkëlzen Berisha, dhe nëse po, në c‘ rrethana e keni njohur?
Përgjigje: Po njoh një shtetas me emrin Shkëlzen Berisha, i cili ka ardhur dy herë për të takuar ministrin Aldo Bumçi në zyrë. Për sa më sipër, deklarimet e mia pasi i lexoj dhe konstatoj se gjenden të shkruara drejt, i konfirmoj duke nënshkruar pa vërejtje.
Sekretaret e Mbrojtjes: Faksin për Mediun ia dorëzuam Shkëlzen Madanit
TIRANE - Anila Lala dhe Liza Maksuti, dy operatoret e përpunimit të informacionit në Ministrisë së Mbrojtjes, kanë shpjeguar se faksi që mbante shënimin sipër “Për z.Shkëlzen Berisha” i është dorëzuar Shkëlzen Madanit, funksionar në këtë institucion. Dokumenti mban 622, datë 13 mars 2007, rezulton të jetë dërguar nga Ministra e Drejtësisë, nga numri 234560, për Ministrinë e Mbrojtjes, në orën 09:19 AM. Ky faks nuk ka numër protokolli dhe datë nga dërguesi. Mbi faks ndodhen të shënuara me stilolaps blu shënimet: “Selimi” dhe “622, 13.07.2007” dhe një firmë pas tyre. Sipas dy punonjësve shënimi që mban emrin e djalit të Kryeministrit ishte bërë nga dërguesit e këtij faksi, ndërsa fjala “Selimi” nuk dihet se nga kush është bërë dhe çfarë përfaqëson. Prokuroria i ka pyetur dy punonjëset se përse faksi është regjistruar në regjistrin e fakseve të marra nga Shkëlzen Madani, kur në fakt ai i drejtohej ish-ministrit Fatmir Mediu. Maksuti e ka shpjeguar për këtë: “Faksin e shikoj se i drejtohet ministrit Fatmir Mediu, mban orën dhe datën sipas asaj që është shënuar në Regjistrin e Fakseve të marra, numri 234560 nga ka ardhur faksi, Ministra e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit. Ajo që më bie në sy në këtë faks nuk ka datë, nuk ka numrin e protokollit të asaj ministrie, që sipas rregullave duhet ta ketë. Në këtë faks është një shënim për zotin Shkëlzen Berisha, shënim i cili është pjesë e vetë faksit të dërguar nga Ministria e Drejtësisë. Poshtë këtij shënimi është dhe një shënim tjetër me stilolaps blu, që është vendosur pas marrjes së këtij faksi. Shënimi me stilolaps “Selimi”, mua nuk më kujton ndonjë person në ministri, nuk e di se kush mund ta ketë vënë këtë shënim në këtë faks. Unë nuk mund të them asgjë në lidhje me shënimet në regjistrin e fakseve të marra, në emër të Madanit. Në nuk pranojmë gjëra të tilla”. fa.ma