E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ramës i kam dhënë 5 herë më shumë fonde se Nano

 

Kryeministri Sali Berisha sulmon sërish kreun e PS-së, njëherësh edhe kryebashkiak i Tiranës, Edi Rama lidhur me investimet në kryeqytet. Në vijim të turit të tij paraelektoral kreu i qeverisë ka inauguruar përfundimin e punimeve për ujësjellësin e ri të komunës Petrelë, si dhe inaugurimin e një kopshti dhe një shkolle 9-vjeçare në Vorë. Duke folur nga Petrela, kreu i qeverisë tha se në këtë komunë po asfaltohen 23 km, ndërkohë që në Tiranë, sipas tij nuk janë bërë as 10 km. “Ndokush mund të mendojë se unë si Kryeministër nuk i kam dhënë financime kundërshtarit politik. Po ju them se unë i kam dhënë 5 herë më shumë sesa i ka dhënë vet Fatos Nano. Kryetari juaj i komunës, ka marrë 4 herë më shumë fonde nga qeveria, por i ka shndërruar ato në rrugë, në ujësjellës, në shkolla, në kanalizime”, tha kreu i qeverisë. Gjatë këtyre takimeve, Berisha kërkoi sërish votat për një mandat të dytë të koalicionit të djathtë duke akuzuar opozitën se ka prishur imazhin e vendit me lajmet e rreme që ka përhapur. “Opozita, me mediat e veta, me aktin më të shëmtuar, hapi lajmin se qytetarët e Fushë Krujës, të cilët i dëshmuan Presidentit Bush dashurinë më vëllazërore që ai kishte parë në ndonjë vend të botës, i vodhën atij orën. Ata e bënë këtë gjë, për t’u dhënë turpin shqiptarëve, vetëm e vetëm se Presidenti nuk mund të shkonte në bashkinë e një antiglobali, pasi i dinte të dhënat që ai është një antiglobalist dhe nuk mund ti shikonte në bashkinë e tij. Në hakmarrje primitive, ai hapi me mediat e veta lajmin se u vodh ora”, vijoi më tej Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›