E Shtunë, 31 Tetor 2026

Engel letër Obamës: Kosova të bëhet përparësi e Amerikës

Washington - Në trevjetorin e pavarësisë së Kosovës, kongresmeni Eliot Engel kërkon që Kosova dhe Ballkani Jugor të bëhen një përparësi për Shtetet e Bashkuara, si edhe që ato të luajnë një rol udhëheqës në bisedimet për të ardhmen e rajonit. Në komentet që bëri dje për Zërin e Amerikës, bashkëkryetari i grupit të çështjeve shqiptare në Kongres, tha se i ka dërguar presidentit Barak Obama një letër të nënshkruar nga 20 anëtarë të Kongresit, demokratë dhe republikanë. Kongresmeni Engel tha se ia kishte dërguar letrën presidentit Obama për të theksuar rëndësinë e rolit udhëheqës amerikan në Kosovë dhe në Ballkan. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, z. Engel bën thirrje që Shtetet e Bashkuara të luajnë rol kryesor në ndërmjetësimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të jenë të pranishme në të gjitha fazat e tij, së bashku me Bashkimin Europian. Z. Engel thotë se pa praninë e Shteteve të Bashkuara populli i Kosovës nuk do të ketë besim në këtë proces dhe se dialogu ka të ngjarë të dështojë. Kongresmeni tha se në letrën drejtuar Presidentit amerikan, ai shpreh shqetësimin se Bashkimi Europian mund të ketë filluar ta favorizojë Serbinë pa dashje përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe heqjes së regjimit të vizave. Kosovës, nga ana tjetër, nuk i është ofruar ndonjë plan për rrugën drejt Europës. Kosova dhe populli i saj mbeten më të izoluar sesa vendet e tjera të Ballkanit. Megjithëse nuk kundërshtojmë anëtarësimin e Serbisë në BE, tha z. Engel, nëse Serbia hyn në BE para se të zgjidhet çështja e Kosovës, Serbia do të mund t’i vërë veton anëtarësimit të Kosovës në BE në të ardhmen. Kjo do të rrezikonte ta kthente Kosovën në një vrimë të zezë të rajonit. Kjo, tha kongresmeni Engel, mund të shmanget vetëm nëse Shtetet e Bashkuara e bëjnë Kosovën dhe Ballkanin Jugor një përparësi dhe marrin rol udhëheqës në bisedimet e ardhshme dhe në të ardhmen e rajonit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›