E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wollfarth: Partitë të marrin përgjegjësitë për zgjedhjet lokale

TIRANË- Në mbyllje të projektit për modernizimin e sistemit të adresave dhe gjendjes civile, Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, deklaroi se të gjitha partitë politike duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, në përgatitjet për zgjedhjet vendore. “Më 8 maj 2011 do të zhvillohen zgjedhjet e reja vendore. Modernizimi i regjistrit të gjendjes civile dhe sistemi i ri i adresave, siguruan bazën për të pasur lista më të sakta votuesish. Ashtu si çdo nivel i administratës, edhe të gjitha partitë politike duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në përgatitjet për ditën e zgjedhjeve. Qytetarët e këtij vendi meritojnë absolutisht asgjë më pak se kaq. Dua, gjithashtu, të kujtoj që një regjistër i gjendjes civile është në vetvete punë në progres, sepse kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme dhe pastrim nga dublikimet dhe gabimet”, - tha dje Wollfarth. Siç u shpreh edhe Ambasadori i OSBE-së, veprimtaria e djeshme shënoi mbylljen zyrtare të një prej projekteve të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, për modernizimin e sistemit të adresave dhe regjistrit të gjendjes civile. Në këtë veprimtari morën pjesë edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, dhe Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha

tha: “Ka qenë ndihma e gjithanshme e OSBE-së, në një seri marrëveshjesh, ligjesh, dhe së fundmi vendosjen e sistemit më modern të identifikimit të qytetarëve, regjistrit të gjendjes civile dhe votave të zgjedhësve, që kanë bërë të mundur që shqiptarët të votojnë në zgjedhjet e kaluara, duke plotësuar shumicën e standardeve ndërkombëtare të kësaj organizate. Kanë bërë të mundur të zhvillojnë zgjedhje, në të cilat nuk ka pasur manipulime, as dhe numërime të parregullta. Ky projekt përbën një themel të sigurt të zgjedhjeve që vijnë, për të cilat qeveria shqiptare ka të gjithë përkushtimin që ato të plotësojnë standardet e OSBE/ODIHR-it”. Kryeministri shtoi se koha është e ngushtë, rekomandimet janë dhe se qeveria është plotësisht e hapur për të përdorur të gjithë votat që ka për t’i adresuar një nga një ato, pa asnjë hezitim. Ndërsa Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, theksoi se ky projekt ishte garancia më e mirë për të pasur më 8 maj zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Plotësimi uniform dhe standard i parametrave më bashkëkohorë dhe i praktikave më të mira europiane, sa i përket Regjistrit Kombëtar të Adresave, por po kështu Gjendjes Civile dhe pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, sot në shifrat respektive, prej 2.7 milionë dhe 1.6 milion, sikundër standardi tashmë i arritur dhe i konfirmuar unanimisht nga të gjithë aktorët e vendit dhe të huaj të Policisë së Shtetit, janë garancitë më të mira në përputhje të plotë me standardet evropiane, që Ministria e Brendshme ofron në kuadër të angazhimit të qeverisë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 8 majit” ,- tha Basha. Projekti është mundësuar nëpërmjet një fondi prej 2.5 milionë euro të Bashkimit Europian dhe me financim të OSBE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe me ndihmën teknike të Austrisë, Norvegjisë dhe Këshillit të Europës. Projekti u zbatua nga viti 2007, deri në fund të vitit 2010. Objektivat kryesore të projektit ishin të ofronte asistencë për krijimin e sistemeve elektronike të adresave dhe regjistrit të gjendjes civile, krijimi i një kuadri ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale, dhe krijimi i besimit të publikut, nëpërmjet një fushate ndërgjegjësimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›