E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova mbush 3 vjeç: jashtë OKB-së, nën Rezolutën 1244

Prishtinë - Tre vjet pas pavarësisë, Kosova vazhdon të jetë e mbikëqyrur nga misionet ndërkombëtare, prej të cilave vetëm një e njeh pavarësinë, ndërsa të tjerat mbajnë qëndrim neutral. ICO-ja përgëzon Kosovën për përparime, por nënvizon sfidat e mëtejme. Ndërsa EULEX-i thotë se para këtij misioni dhe Prishtinës, mbesin detyrat e vështira - kthimi i sundimit të ligjit në Veri dhe pavarësimi dhe forcimi i gjyqësorit. Kosova mbushi dje tre vjet shtet, por ende nuk ka arritur të pavarësohet nga mbikëqyrja ndërkombëtare. Në vend është vetëm një mision që njeh pavarësinë - Zyra Civile Ndërkombëtare. EULEX-i, KFOR-i, UNMIK-u e OSBE-ja vazhdojnë me qëndrimin e tyre neutral ndaj statusit, duke pasur për bazë ende rezolutën 1244 të OKB-së. Pesha e misioneve, si ajo e UNMIK-ut dhe OSBE-së, ka rënë që nga 17 shkurti i 2008-ës. KFOR-i këtë vit reduktohet në vetëm pesë mijë trupa, por ende mbetet përgjegjësi kryesor i mbrojtjes së Kosovës. Sidoqoftë, Zyra Civile Ndërkombëtare, që mbikëqyr përmbushjen e Planit Ahtisari, mbi bazë të të cilit u shpall pavarësia, ka fjalë të mira për arritjet e Kosovës në këto tre vjet. “Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm dhe të prekshëm gjatë këtyre tre vjetëve të pavarësisë. Mendoj se duhet përmendur Gjykata Kushtetuese, institucionet tjera që janë themeluar, si komunat e reja, që janë themeluar për t’i shërbyer komunitetit serb të Kosovës; demarkacioni i kufirit me Maqedoninë. Janë hedhur themele solide të shtetit të ri”, thotë për Radion Europa e Lirë zëdhënësi i ICO-s, Endi Mekgafi. ICO-ja, megjithatë, sugjeron autoritetet e Kosovës që të përmbushin detyrat e mbetura, ndër të cilat përmend themelimin e komunës së Mitrovicës Veriore dhe hartimin e legjislacionit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe religjioze. Në anën tjetër, misioni europian që u vendos në Kosovë në fund të 2008-ës, për të ndihmuar në forcimin e ligjit, pranon se nuk është arritur sa duhet që nga vendosja e tij. Ky mision, që për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së vazhdon të jetë neutral ndaj statusit, kërkon nxjerrjen e ligjeve shtesë për të përmirësuar sektorin më të kritikuar - atë të drejtësisë. Zëdhënësi Blerim Krasniqi thotë se edhe në raportet e programit të EULEX-it, të publikuara vitin e kaluar dhe këtë vit, krahasuar me Policinë dhe Doganat, Gjyqësori qëndron më dobët. Veriu i Kosovës as në vitin e tretë të pavarësisë nuk u fut nën kontrollin e Prishtinës zyrtare. Grupi Drejtues Ndërkombëtar konfirmoi përkushtimin për tërësinë territoriale, por kritikët thonë se, pavarësisht zotimeve, gjendja në Veriun e banuar me shumicë serbe mbetet e papranueshme. Për këtë ka marrë kritika edhe EULEX-i, edhe pse, siç shprehet Krasniqi, prioritet i këtij misioni mbetet rikthimi i sundimit të ligjit atje. Kosova nuk arriti ende njohjet e duhura për të qenë pjesë e OKB-së, organizëm ky që, megjithatë, po nxjerr ende dokumente nga të cilat po varet ecja e Kosovës përpara. Vitin që shkoi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën mbi bazë të së cilës do të zhvillohen negociatat e ardhshme me Serbinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›