E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Sot protestojmë paqësisht, por vendosmërisht

Partia Socialiste i ka bërë dje thirrjen e fundit qytetarëve që t’i bashkohen opozitës në protestën ku do të kërkohet largimi i kryeministrit Sali Berisha, si zgjidhja e vetme për krizën politike dhe jo vetëm, që sipas saj ka përfshirë vendin. Ka qenë vetë kreu socialist Edi Rama ai që u ka bërë apel të gjithë atyre që kanë një arsye për të protestuar, që t’i bashkohen tubimit të opozitës. “Nesër në orën 16.00 ne do të jemi në bulevard me këdo që dëshiron të demonstrojë paqësisht, por vendosmërisht për largimin e Saliut dhe zgjedhje të reja, të lira e të ndershme”, - tha kryetari i PS-së, Edi Rama. Më tej ai ka renditur të gjitha arsyet përse qytetarët shqiptarë duhet të ngrihen kundër qeverisë, duke filluar që nga papunësia, korrupsioni, varfëria etj. “Do të jemi në bulevard për këdo që sot nuk e shtyn dot më jetën e përditshme për shkak të vuajtjeve e vështirësive të pafundme që regjimi vrastar i kusarisë shton përditë mbi kurrizin e shqiptarëve të zakonshëm. Me këdo e për këdo që sot nuk përballon dot më çmimet e ushqimit të përditshëm. Të cilat rriten përditë, sepse ata që vodhën zgjedhjet po e vjedhin përditë Shqipërinë duke zbrazur xhepat e familjeve të zakonshme të këtij vendi dhe duke vrarë edhe të ardhmen e këtij vendi”, - u shpreh Rama. Një arsye për të protestuar, sipas tij, e kanë edhe të gjithë ata shqiptarë që u goditën, jo vetëm fizikisht, por edhe moralisht më 21 Janar, nga dhuna që, sipas tij, përdori qeveria mbi njerëzit që ishin mbledhur për të protestuar paqësisht. “Nesër në bulevard me këdo e për këdo që sot nuk e sheh dot më si të vetën këtë qeveri përgjegjëse për katër vrasjet makabër dhe për të gjitha plagosjet me armë zjarri në mes të Tiranës, të cilat u shkrepën mbi popullin nga regjimi i kusarisë, që vrau për të vazhduar të vjedhë. Nuk u vranë socialistët, u vranë të gjithë, u vra liria dhe dinjiteti i katër shqiptarëve, prindër të papunë fëmijësh që u bënë jetimët e regjimit të kusarisë”, - tha më tej Rama. Vend për të protestuar, - ka vijuar më tej Rama, - ka dhe për të gjithë ata njerëz që nuk e durojnë dot padrejtësinë e konstatuar në rastin e çështjes “Gërdeci”, ku ende sot nuk ka marrë askush përgjegjësi ligjore për vrasjen 26 njerëzve të pafajshëm. “Nesër në 4 në bulevard për këdo që sot nuk i dëgjon dot më gënjeshtrat e përditshme të Saliut, i cili duhet të largohet dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes përfundimtare të krizës, duke i rikthyer përfundimisht këtij populli të drejtën që të zgjedhë lirisht qeverinë e vet dhe lirinë që të mos jetë më vartës po gjykatës i qeverisë që zgjedh”, - tha Rama, duke evidentuar se do të protestohet paqësisht, por vendosmërisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›